Plagosja, vdes në spital 52-vjeçari
Ndërron jetë në spital 52-vjeçari, i cili u plagos rëndë nga vëllai i tij, pas një sherri në familje. Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur tri net më parë te rruga "Qemal Stafa në Tiranë. Zyrdi Vathi ishte dërguar në spital nga nusja e tij pas sherrit që ka pasur me vëllain, por në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ai ka ndërruar jetë. Sipas të dhënave policore të kryeqytetit, rreth orës 03.00 të mëngjesit, ai ka vdekur në spital, ndërkohë që mesditën e së martës, policia kishte mundur të arrestonte vëllain e tij, Ahmet Vathi, që tashmë do akuzohet për vrasje me dashje. Sipas policisë, vëllezërit Ahmet Vathi dhe Zyrdi Vathi janë protagonistët e këtij krimi brenda familjes. Nga të dhënat hetimore mësohet se ata janë të dy të martuar dhe jetojnë në të njëjtën shtëpi. Ky fakt ka sjellë disa herë konflikte mes tyre, por ai i së hënës ka qenë më i rëndi. Rreth orës 20.00 të asaj nate, policia e kryeqytetit është njoftuar se në rrugën "Qemal Stafa", në një banesë ka ndodhur një plagosje e rëndë. Me t‘u njoftuar, në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Komisariatit Nr. 4, të cilat janë përforcuar edhe nga ato të seksionit kundër krimeve ndaj jetës dhe shëndetit. Kur kanë mbërritur aty, policia është vënë në dijeni se Zyrdi Vathi, 52 vjeç, është plagosur rëndë me mjete të forta nga vëllai i tij, Ahmeti 50-vjeçar, i cili ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Menjëherë është bërë shpallja në kërkim e tij dhe të martën është mundësuar prangosja nga ana e policisë.