I arrestuari tenton vetëvrasjen në komisariat
Një 31-vjeçar ka tentuar t‘i japë fund jetës duke u vetëvarur në ambientet e Komisariatit të Kavajës, pasi dyshohet se i vinte turp që ishte arrestuar për vjedhje. Megjithatë, policia thotë se hetimet janë shtrirë edhe në pistën e shkaktimit të vetëvrasjes. Ngjarja e rëndë ka ndodhur paraditen e djeshme, ndërkohë që ndërhyrja e shpejtë e policisë e ka mbajtur 31-vjeçarin në jetë. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës bënë të ditur se rreth orës 11.25, në dhomën e paraburgimit të Komisariatit të Policisë Kavajë, ka tentuar të vetëvaret i arrestuari Albert Agim Bajrami, 31 vjeç, lindur në Durrës dhe banues në Tiranë. Ky person, i cili ka qenë i dënuar më parë për veprën penale të "kanosjes", ishte arrestuar dy ditë më parë për veprën penale të "vjedhjes". Policia tha se ai kishte përdorur këmishën e tij për të kryer këtë veprim. Pas hetimeve të para nga grupi i punës, i përbërë edhe nga oficerë të SHKB-së, ka rezultuar se i arrestuari Albert Bajrami ka tentuar të vetëvaret, duke përdorur këmishën e tij, të cilën e kishte grisur dhe e kishte bërë në formë litari. Falë ndërhyrjes së menjëhershme dhe në kohë të shërbimeve të policisë është shmangur kjo vetëvarje. Punonjësit e policisë i kanë dhënë ndihmën e parë të arrestuarit, duke e dërguar në spital, ku aktualisht ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore. Nga ana tjetër, SHKB-ja dhe grupi hetimor i policisë po hetojnë më tej këtë rast dhe po marrin në pyetje uniformat blu në shërbim, apo ata që janë marrë me rastin e 31-vjeçarit, pasi dyshohet edhe për shkaktim vetëvrasjeje. Sipas policisë, ai ishte kapur dy net më parë për vjedhje bashkë me Dorian Qafën, i cili është proceduar penalisht në gjendje të lirë. Nga të dhënat hetimore, mësohet se rreth orës 03.00 të mëngjesit të së martës, në ambientet e disko "Rio", e cila ndodhet në Golem, duke bashkëpunuar ata kanë vjedhur mjetin "Benz" me targa V 94 MGY, pronë e Mustafa Madani, 24 vjeç, banues në Tiranë.