E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adonis nderohet me Çmimin Goethe 2011

Nga Express më 30 gusht 2011 në ora 20:00

"Sikurse Goethe ka bërë të afërt për ne poezinë persiane në Divanin Perëndim-Lindje, ashtu edhe Adonis i ka përçuar në kulturën arabe arritjet e modernes evropiane", - është ky argumentimi i jurisë për çmimin e akorduar.

Më 28 gusht poeti siriano-libanez Adonis (Ali Ahmad Said) u nderua me Çmimin Goethe 2011. Ceremonia u zhvillua në kishën e Shën Palit në Frankfurt. Fjalën e rastit e mbajti poeti Joachim Sartorius, i cili e cilëson Adonis si një "citizen of the world" (një qytetar i botës)

Poezia e Adonis dhe prejardhja e tij

"Si bimët që jetojnë në kopështe të qelqta, të mjerueshme, të padukshme, që janë zhytur si pluhuri në pëlhurë - viktima, deformuar në spirale." Dëshpërimi i thellë dhe indinjata për humbjen e humanizmit përshkojnë këtë poezi të titulluar "Nju Jork" nga Adonis, i cili e lexoi vetë atë në Festivalin e Berlinit në vitin 2003.

Poeti dhe publicisti Adonis ka lindur në Siri. Emri i tij është në fakt Ali Ahmad Said Esber. Ai lindi në vitin 1930 në Kasabin, një fshat në veri-perëndim të Sirisë. Për të ndjekur shkollën e mesme atij iu akordua një bursë personalisht prej presidentit të atëhershëm të Sirisë. Adonis i kishte bërë përshtypje presidentit gjatë një vizite në Veri të Sirisë, teksa e dëgjoi atë duke recituar poezi.

Pasi u dënua me një vit burgim për shkak të aktiviteteve politike në Damask, Adonis u arratis në Bejrut, ku u martua me Khalida Said, e cila më vonë u bë kritikja më e rëndësishme letrare në botën arabe. Në atdheun e ri ai punoi si mësues dhe gazetar dhe hyri në kontakt me një grup aktiv artistësh, shkrimtarësh dhe emigrantësh politikë. Këtu ai u njoh me letërsinë ndërkombëtare. Suksesin e vet letrar ai e arriti me vëllimin e tretë të tij të poezive "Këngët e Mihyars des Damaszeners" në fillim të viteve 60-të.

Vizionar profetik dhe kritik i përhershëm

Adonis ka mbetur gjithmonë një kritik në aspektin e politikës - me një vizion thuajse profetik. Në një intervistë për Deutsche Welle-n në vitin 2001 ai përshkruante vlerësimin e tij për zhvillimin e raporteve në botën arabe: "Nëse nuk ndryshojnë raportet në botën arabe, nëse pushtetmbajtësit tanë nuk mendojnë për popullin, nëse ata merren vetëm me ruajtjen e pushtetit të tyre, nëse ata besojnë, që populli është vetëm një mjet për pushtetin dhe që pushteti nuk është mjet për popullin, atëherë ata do të përballen me katastrofa, që nuk i ka përjetuar askush."

Adonis është një laik i shpallur dhe të bind, që vetëm sekularizimi i shoqërisë mund ta zhvillojë më tej kulturën dhe politikën arabe. Në vitin 2002 në gazetën "Die Zeit" ai theksonte: "Gjithmonë kur nuk dikton feja, kultura arabe eshtë e madhërishme. Gjithçka që është e çliruar prej fesë në kulturën arabe, është e jashtëzakonshme."

Poezia e tij si projekt kulturor civilizues

Poezinë e tij në librat, artikujt dhe referatet e tij, ai e kupton si një projekt kulturor civilizues, që është në gjendje ta rishkruajë dhe ta përkufizojë historinë arabe.

Aktualisht Adonis jeton mes Parisit dhe Bejrutit. Lindja dhe Perëndimi, beson Adonis, takohen së bashku përmes artit dhe poezisë. Kjo është tërësisht në frymën e Goethes, i cili në kohën e tij e kish kuptuar, se: "Ai që njeh vetveten dhe tjetrin, do ta kuptojë edhe këtu: Orienti dhe Oksidenti janë të pandashëm".

Por Adonis mendon: "Lindje ose Perëndim, këto janë dy koncepte, që dallojnë midis tyre më shumë në aspektin ideologjik se sa në atë gjeografik." /dw/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›