E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adresat në Shkodër, banorët konfuzë nëpër rrugë e lagje

 

SHKODER/ RIDVAN DIBRA
Për të gjetur një adresë në Shkodër, një postieri do t’i duhen orë të tëra. Megjithëse ka rreth një vit që bashkia ka përfunduar  sistemin e ri të adresave, pak qytetarë janë në dijeni të saj.
Dhjetorin e vitit të kaluar, me një projekt të Ministrisë së Brendshme, Bashkia e Shkodrës përfundoi studimin e plotë të sistemit të ri të adresave. Me këtë sistem në adresat e reja nuk u përfshinë më emrat e lagjeve, por shënohej rajoni, rruga dhe numri i banesës. Sistemi i ri ka të përcaktuar qartë se si janë vendosur edhe numrat për çdo banesë duke mos i ngatërruar ato. Ky proces pati interes për qytetarët sidomos gjatë aplikimit për kartat e identitetit. Por vetëm ditët e para të aplikimit u mor parasysh një fakt i tillë, më pas aplikuesit shënonin sërish adresat e vjetra që ata mbanin mend. Kjo gjë po e vështirëson çdo ditë e më shumë gjetjen e banesave të qytetarëve të ndryshëm. Pako apo letra që vijnë nga jashtë vendit për qytetarë të ndryshëm, në shumë raste mbesin për shumë kohë në zyrat e Albpostës, pasi nuk ka adresa të saktë të personave apo të familjeve që duhet t’i marrin ato. E njëjta gjë ndodh edhe për faturat e energjisë apo të telefonit, të cilat në kushtet e mungesës së adresave nuk dërgohen në destinacion.
Situata sa vjen dhe rëndohet për shkak të zgjerimit të qytetit të Shkodrës. “Kur duhet të dërgoj faturat apo pakot që mbërrijnë në Albpostë, si orientim kam vetëm faktin që është p.sh., në zonën e Spitaleve apo në ndonjë zonë tjetër, si dhe pranë ndonjë objekti apo institucioni të njohur, por pa caktuar emrin e rrugës, numrin e pallatit etj”, shprehet Izedin Çaushi, njëri prej postierëve. Shqetësim më vete janë zonat ku përgjatë këtyre viteve janë ndërtuar shtëpi dhe pallate dhe asnjëra prej tyre nuk ka një adresë të saktë. Një postier i vjetër kujton kohën para ‘90-ës, kur në të gjitha shtëpitë private apo apartamentet ishte i shënuar emri i pronarit. Kjo e bënte shumë të lehtë punën e tyre. Drejtuesit e Bashkisë u shprehën se sistemi i ri i adresave ka përfunduar, si në emërtimin e ri të të gjitha rrugëve, ashtu edhe në vendosjen e numrave të banesave. Shumë shpejt pritet që të sillen tabelat me emërtimet e rrugëve nga Ministria e Transporteve dhe të fillojë vendosja e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›