Vidhen kapakët e pusetave të unazës
SHKODER - Vjedhja e kapakëve të pusetave në unazën e Shkodrës po dëmton jo vetëm mjetet që qarkullojnë në të, por gjithashtu rrezikon edhe jetën e banorëve. Prej disa javësh në gjysmën e unazës, e cila sapo ka përfunduar punimet, janë vjedhur kapakët. Në lidhje me situatën e krijuar, drejtues të bashkisë shprehen se të gjitha pusetat kanë pasur kapakë, por janë vjedhur nga persona të papërgjegjshëm gjatë natës. Dyshohet që ato më pas të jenë shitur për skrap. Në çdo 500 metra të këtij aksi ka puseta pa kapakë. Në këtë situatë pothuajse çdo drejtues mjeti që kalon për herë të parë në atë rrugë bëhet viktimë e tyre. Banorët e zonës pranë unazës, që janë dhe dëshmitarët e të gjitha aksidenteve të shkaktuara, shprehen se çdo ditë ka mbi 10 makina që bien pasi nuk e njohin rrugën. Drejtuesit e Bashkisë pohuan se shumë shpejt do të ndërhyhet për të vendosur kapakët në të gjitha pusetat përgjatë rrugës së unazës. r.d