Padia e ish-prokurorit të Durrësit: Dhashë dorëheqjen, s‘më shkarkuan
TIRANE – Arjan Ndoja, ish-kreu i Prokurorisë së Durrësit i është drejtuar Gjykatës së Tiranës, ku kërkon që në urdhrin e lirimit kryeprokurorja Ina Rama të shkruajë largimin e tij nga detyra për shkak të dorëheqjes. Padia e bërë nga ish-kryeprokurori i Durrësit është regjistruar në sekretarinë e Gjykatës së Tiranës më datë 25 nëntor si çështja civile me numër 14811, pas procedurave të shortit elektronik në këtë institucion, dosja i ka rënë për gjykim, kryetarit të kësaj gjykatë, Artan Zeneli. Paditësi është Arjan Ndoja dhe pala e paditur është Prokuroria e Përgjithshme Tiranë. Referuar burimeve zyrtare nga ky institucion, lloji i çështjes është padi për shfuqizim ose ndryshim akti administrativ, mbështetur në nenet 121 - 129 të Kodit Civil. Objekti i padisë së Ndojës është: Ndryshim i aktit administrativ, konkretisht i urdhrit numër 224 datë 29 tetor 2009 të Prokurores së Përgjithshme, duke ndryshuar urdhërimin me shprehjen: “Largimin e drejtuesit të Prokurorisë së Rrethit Durrës Arjan Ndoja nga funksioni i drejtuesit për shkak se ka dhënë dorëheqjen nga kjo detyrë në referencë të nenit 27/b pika 2/a të ligjit numër 8737 datë 12 shkurt 2001 Per organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”. aktualisht dosja ndodhet në gjykim, ndërsa pritet që në ditët në vazhdim gjyqtari i çështjes Artan Zeneli të caktojë datën për zhvillimin e seancës së parë të këtij procesi. Arjan Ndoja, ish-kryeprokurori i Durrësit, aktualisht prokuror në këtë institucion u largua nga detyra e drejtuesit, më datë 29 tetor të këtij viti me një urdhër të kryeprokurores Ina Rama. Me anë të një njoftimi zyrtar institucioni qendror i akuzës pohoi atëherë se me urdhër të kryeprokurores Ina Rama ishte ushtruar kontroll tematik në Prokurorinë e Durrësit për kontrollin e veprimtarisë dy-vjeçare të këtij institucioni. “Në përfundim të kontrollit u konstatuan të meta të theksuara në funksionimin e kësaj Prokurorie të cilat rezultojnë se kanë ardhur si rrjedhojë direkte e një menaxhimi të dobët nga stafi drejtues i saj. Në zbatim të ligjit Prokurorja e Përgjithshme, mbështetur në konkluzionet e aktit të kontrollit vendosi shkarkimin nga detyra të kreut të organit të akuzës në Durrës Arjan Ndoja dhe zëvendësit të tij Drini Pali”, thuhej në deklaratën e bërë nga Prokuroria e Përgjithshme. fa.ma.