Gjendet e vdekur në banesë gruaja e oficerit
Etleva Delia
Një 41-vjeçare është vetëvrarë me pistoletën e bashkëshortit të saj oficer i ushtrisë, pas debateve me vjehrrën për humbjen e 500 eurove në shtëpi.
Ngjarja ka ndodhur mesditën e së shtunës në apartamentin ku jetonte familja Lika, në Lagjen Nr.6 të Kavajës. Ermelinda Lika, nëna e dy fëmijëvë të rritur, pas një jave debatesh me bashkëshortin dhe nënën e tij, ka kaluar në një gjendje depresioni, që e ka detyruar t’i japë fund jetës. Burime nga policia thanë se janë njoftuar për ngjarjen në orën 11:45, nga bashkëshorti i 41-vjeçares, i cili ishte oficer në Repartin e Komandës së Forcave të Bashkuara. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e policisë së Komisariatit të Kavajës, si dhe disa oficerë të Seksionit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit. Sipas policisë në vendin e ngjarjes është gjetur dhe është sekuestruar në cilësinë e provës materiale një pistoletë model 59, tip “Makarov”, me numër BO 1516, me 6 fishekë, një gëzhojë dhe një predhë fisheku. Arma me të cilën Ermelinda Lika ka realizuar vetëvrasjen, rezulton të jetë arma e shërbimit të oficerit të Repartit të Komandës së Forcave të Bashkuara, që ishte bashkëshorti i viktimës. Trupi i pajetë i 41-vjeçares, u dërgua në morg, ku iu nënshtrua ekspertizës mjeko-ligjore. Sipas raportit paraprak të mjekëve, mësohet se gruaja është vetëqëlluar me pistoletë në kokë, në anën e djathtë dhe plumbi pasi ka përshkuar kokën ka dalë sërisht jashtë. Në këtë mënyrë ajo ka gjetur vdekjen e menjëhershme.
DESHMITE
Pasi kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, në apartamentin e familjes Lika, pikërisht në dhomën e fjeties, ku u gjet trupi i pajetë i Ermelinda Likës, policia ka marrë dëshmitë e 4 familjarëve që ndodheshin në shtëpi në momentin e ngjarjes. Sipas burimeve nga policia mësohet se 41-vjeçarja kishte nisur një debat me vjehrrën e saj që para një jave, pasi kishin humbur 500 euro në shtëpi. Të dyja akuzonin njëra-tjetrën për humbjen e parave, deri sa në këtë debat është përfshirë dy ditë më parë ëshë bashkëshorti i 41-vjeçares, i cili ka mbështetur nënën e tij. Në këtë moment duket se gruaja nuk e ka duruar më këtë gjendje duke kaluar në një gjendje depresioni. Pasi i është shmangur debatit me të shoqin dhe vjerrën, Lika është larguar pa rënë në sy nga dhoma e ndenjies, për të shkuar në dhomën e fjetjes, ku ishte edhe arma e të shoqit. Ka mbyllur derën e dhomës nga brenda dhe pasi ka shkruar një letër ku ka shpjeguar motivet që e çuan në vetëvrasje, ka shkrepur pistoletën e të shoqit në kokë, duke mbetur e vdekur në vend. Pasi kanë dëgjuar krismën e armës, fëmijët e saj dhe bashkëshorti kanë nxituar për të hapur derën e dhomës dhe e kanë gjetur pa jetë. Në këtë moment kanë lajmëruar policinë.