Mbrojtje dy vajzave, i rrahu babai e i fejuari
TIRANE - Policia e Tiranës ka vendosur që të merren në mbrojtje dy gra, të cilat pretendojnë se dhunohen fizikisht dhe psikologjikisht në mënyrë të vazhdueshme nga babai dhe nga i fejuari. Sipas burimeve nga policia mësohet se vendimi i policisë ka ardhur pas denoncimeve që të dy vajzat kanë bërë në 2 komisariate të policisë së Tiranës, ku kërkojnë marrjen në mbrojtje. Rasti i parë është regjistruar në Komisariatin Nr.1 të policisë së Tiranës. Sipas burimeve mësojet se G.Ndroqi, 29 vjeçe, me arsim 8-vjeçar, ka kallëzuar babain e saj E.Ndroqi, 59 vjeç, i cili sipas saj e dhunon vazhdimisht pa asnjë arsye. Gjithashtu vajza në denoncimin e saj pretendon se babai i kërkon vazhdimisht duke i bërë presion që të largohet nga shtëpia. Në këtë mënyrë ajo vendosi t’i drejtohej policisë. Në komisariat paraprakisht u thirr për t’u marrë në pyetje edhe babai i Ndroqit, i cili dha shpjegime për akuzat e së bijës dhe më pas u vëndos që të plotësohet kërkesë-padia për lëshimin e urdhërit të mbrojtjes së menjëherëshme nga 29-vjeçares G. Ndroqi. Rasti tjetër i ngjashëm me të parin është regjistruar në Komisariatin Nr.4 të policisë së Tiranës. N. Koçi, 33 vjeçe, ka kallëzuar të fejuarin e saj, me të cilin bashkëjetonte prej disa muajsh, T.Muka, 38 vjeç, që sipas saj e dhunonte fizikisht dhe psikologjikisht pothuajse çdo ditë. Pas denoncimit të 33-vjeçares Koçi, policia thirri për të dhënë deklarime edhe të fejuarin e saj, të cilit i kërkoi që të mos kryente më asnjë lloj veprimi të tillë ndaj të fejuarës. Pas ballafaqimit të tyre në komisariat, si dhe pas deklarimit dhe pretendimeve të T.Mukës, i cili ishte kallëzuar nga e fejuara, policia vendosi që të plotësohej kërkesë-padia për lëshim urdhër mbrojtjeje edhe ndaj 33-vjeçares Koçi.