Adresat, nis numërimi i apartamenteve
Bashkia e Tiranës ka nisur projektin e adresarit. Reformë edhe në regjistrat e gjendjes civile, do të përshtaten me adresat e reja.Mbyllet faza e parë, u regjistruan 1268 emra rrugësh.
TIRANE- Vendndodhja e saktë e një godine jo vetëm në Tiranë po kudo në vendin tonë është problematike. Por në kryeqytet, ky problem me sa duket pritet të marrë fund së shpejti, pasi Bashkia e Tiranës ka nisur projektin e adresarit. Faza e parë e sistemit të adresave përfshin vetëm emërtimin e rrugëve të kryeqytetit. Puna për sistemin e adresave, për arsye teknike dhe organizative është e ndarë në dy faza: Faza e parë nënkupton punën për emërtimin e të gjithë pjesëve të territorit publik (rrugë, sheshe etj), ndërsa faza e dytë nënkupton punën për numërtimin e godinave, të hyrjeve etj. Shifra totale e numrit të rrugëve të qytetit të Tiranës është 1268, nga të cilat, 858 janë rrugë që marrin emërtime të reja (pra të klasifikuara si rrugë që kanë nevojë për emërtim dhe të paemërtuara më parë), ndërsa 410 rrugë përmbajnë emërtimet ekzistuese. Rrugët më të rëndësishme të emërtuara fillojnë brenda Unazës së vogël dhe përfundojnë deri në kufijtë e vijës kufizuese të Bashkisë së Tiranës. Faza e dytë e "Numërtimit të banesave të Tiranës" tashmë ka nisur, pasi ka përfunduar faza e parë. Me projektin e ri të adresave, Bashkia e Tiranës synon të sigurojë një sistem modern adresash si dhe në vendet e tjera europiane. Ku adresat, veç emrit të rrugës do të kenë edhe një numër rendor që do të personifikojë çdo godinë. Deri tani, në fazën e parë të adresarit janë regjistruar më shumë se 1 mijë emra rrugësh, ku 858 prej tyre janë emra të rinj. Ndërsa në fazën e dytë që sapo ka nisur, do të bëhet numërimi i godinave dhe apartamenteve. Sistemi i adresave në qytetin e Tiranës do të modernizohet ndjeshëm. Bashkia e kryeqytetit është duke vijuar punën për realizimin e projektit të Adresarit të qytetit, i cili do të krijojë një standard të ngjashëm me qytetet europiane. Aktualisht ka përfunduar puna për emërtimin e të gjitha rrugëve dhe shesheve në qytetin e Tiranës, duke përmbyllur kësisoj fazën e parë të projektit të Adresarit. Së shpejti, këto emërtime do të jenë të hedhura edhe në sistemin GIS, në faqen zyrtare të Bashkisë së Tiranës, ku çdo qytetar do të ketë mundësi të futet pa pagesë. Sakaq ka filluar puna për fazën e dytë të projektit (atë të numërtimit të godinave), që do të jetë edhe hapi i fundit drejt krijimit të Adresarit të Tiranës, ku çdo godinë do të ketë për referencë një emër rruge në të cilën ndodhet, si dhe një numër të godinës dhe shkallës. Me përfundimin e Adresarit, një reformë do të bëhet edhe në regjistrat e gjendjes civile, të cilat do të përshtaten me adresat e reja.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)