Adrian Mutu, “mbreti” i Serisë A

Futbollisti i Serisë A me votën mesatare më të lartë në sezonin 2006-2007 është Adrian Mutu i skuadrës së Fiorentinës. Rumuni ka zhvilluar ndeshje më të mira se të gjithë emrat e tjerë të mëdhenj të kampionatit italian, madje ka lënë pas edhe një lojtar klasi si Zlatan Ibrahimovic. "Banca Dati Datasport" kalkuloi në fakt votën mesatare (vlerësimet pas ndeshjeve) të të gjithë lojtarëve të kampionatit maksimal në Itali, duke marrë për bazë vlerësimet e tri gazetave të përditshme sportive italiane ("Gazzetta dello Sport", "Corriere dello Sport" dhe "Tuttosport"), katër të përditshmet më të mëdha ("Corriere della Sera", "Repubblica", "La Stampa" dhe "Il Giornale") dhe sitin e internetit Datasport. Rezultati është befasues.
Rumuni i Fiorentinës u bashkua me Cezare Prandelin pas sezonit 2002-2003 dhe rezultatet e tij janë thuajse të njëjta. Nëse në atë sezon Mutu shënoi 18 gola në 31 takime, këtë vit me Fiorentinën 16 gola në 33 ndeshje kur u ka dhënë edhe 8 asistë për gol shokëve të skuadrës së tij. Nota mesatare e Adrian Mutu në këtë kampionat është 6.50, kur Zlatan Ibrahimovic, një tjetër dominues absolut gjatë këtij kampionati me fanellën e Interit ka notën 6.48 (15 gola, 5 asistë). Kampionët e Italisë përfaqësohen në podium edhe me një tjetër lojtar, Marko Materaci, me një notë mesatare 6.43 (10 gola të shënuar), i cili është dhe i vetmi mbrojtës midis 14 lojtarëve të klasifikuar. Nëse lojtari më i mirë dhe sulmuesi i parë është Mutu, Materaci është "mbreti" i mbrojtësve. Midis mesfushorëve është Kristiano Doni (6.40 nota mesatare, 13 gola të shënuar, 3 asistë), i cili është edhe i pesti në klasifikimin e përgjithshëm pas Francesko Totit (6.41, 26 gola të shënuar dhe 5 asistë). Portieri më i mirë përkundrazi është "gjyshi" Alberto Fontana i Palermos, i gjashti në klasifikimin e përgjithshëm me një notë mesatare 6.39.
Seria A, tre më të mirët
1. Adrian Mutu (Fiorentina - 6,50)
2. Zlatan Ibrahimovic (Inter - 6,48)
3. Marko Materaci (Inter - 6,43)
Portierët:
1. Alberto Fontana (Palermo - 6,39)
2. Sebastien Frej (Fiorentina - 6,33)
3. Hulio Sezar (Inter - 6,31)
Mbrojtësit:
1. Marko Materaci (Inter - 6,43)
2. Havier Zaneti (Inter - 6,31)
3. Filip Mekses (Roma - 6,18)
Mesfushorët:
1. Kristiano Doni (Atalanta - 6,40)
2. Dejan Stankovic (Inter - 6,39)
3. Euxhenio Korini (Palermo - 6,37)
Sulmuesit:
1. Adrian Mutu (Fiorentina - 6,50)
2. Zlatan Ibrahimovic (Inter - 6,48)
3. Francesko Toti (Roma - 6,41)
Suker: "Kam marrë para"
Pas polemikave të ditëve të fundit në Spanjë, ish-sulmuesi i Seviljes, kroati David Suker, dha deklaratën shokuese të tij: "Kam marrë premio në para për të fituar". Në Spanjë luhet java e fundit e kampionatit. Reali dhe Barcelona kryesojnë me pikë të barabarta, ndërkohë që katalanasit i kanë ofruar para Majorkës të marrë të paktën një barazim me Realin. Suker: "Në Spanjë këto janë gjëra normale. Personalisht kam marrë para në formë premiosh
nga Atletiko Madrid pas barazimit me Barcelonën, vit ku Atletiko fitoi Ligën".
Futbollistët kërkojnë azil
Dy futbollistë të Kombëtares kubaneze nuk janë rikthyer më për në shtëpi, pas një ndeshjeje të zhvilluar me Hondurasin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Lester More dhe Osvaldo Alonso pas përfundimit të takimit nuk u bashkuan me shokët skuadrës pas shopingut të kryer në Nju Xhersi dhe Teksas. Dy futbollistët nuk dëshironin të ktheheshin në ishullin karaibik dhe kërkuan azil politik në Shtetet e Bashkuara.
Berluskoni kërkon Ronaldinjon
Presidenti i Milanit, Silvio Berluskoni, sipas gazetës spanjolle "Marca", dëshiron me cdo kusht blerjen e Ronaldinjos. Nga Spanja pohohet se tratativat Milan-Barcelona për kampionin brazilian kanë rinisur fuqishëm. Berluskoni, - shkruan "Marca", - po bën maksimumin për të siguruar Ronaldinjon për sezonin e ardhshëm. "Marca" flet edhe për duelin Milan-Real i Madridit për Emersonin, kur kuqezinjtë kanë kontaktuar edhe me agjentin e lojtarit.