E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konfigurohen “kokat” e bankinave

Nëntë nga 12 trajnerët e skuadrave të Kategorisë Superiore për sezonin e ri 2007-2008 janë tashmë të përcaktuar, por vetëm dy trajnerë janë konfirmuar si vazhdues të bankinave me të cilën mbyllën sezonin e kaluar, Hasan Lika te Partizani dhe Mirel Josa te Vllaznia, edhe pse tekniku i kuqebluve edhe nga Komisioni i Apelit u pezullua për të mos drejtuar skuadrën shkodrane për një periudhë gjashtëmujore në kampionatin vendas, ndërkohë që mund të drejtojë pa problem Vllazninë në ndeshjet e Kupës Intertoto.
Tri skuadrat, të cilat janë ende në fazën e tratativave me trajnerët kandidatë, janë Flamurtari, ku të paktën janë përmendur dy emra, Eqerem Memushi dhe Edmond Licaj, si dhe dy ekipet e rikthyera, Besëlidhja (kandidat Vasil Bici) dhe Skënderbeu (Jani Kaci).
Nga katra skuadrat shqiptare, të cilat do të marrin pjesë në aktivitetet ndërkombëtare, në Ligën Kampioneve, Kupën UEFA dhe Kupën Intertoto, e cila nis e para më 23 qershor, tri prej tyre kanë trajnerë të rinj për sezonin 2007-2008, pavarësisht se për Sulejman Starovën te Tirana, Hysen Dedjen te Teuta bëhet fjalë për një rikthim te ekipet që i kanë drejtuar edhe më parë.
Tirana, kampionia e Shqipërisë, hapin e parë të madh e kreu me "blerjen" më të rëndësishme, atë të teknikut Sulejman Starova, kampion me bardheblutë në sezonin 2004-2005, ndërkohë që ka rikthyer në ekip dy nga emrat më të njohur të saj, Indrit Fortuzin nga Iraklisi në Greqi dhe Elvis Sinën nga Elbasani. Tekniku i bardhebluve nisi përgatitjet i ndihmuar nga Adrian Mema dhe Alban Tafaj. Kamerunasi Abada Fish është larguar përfundimisht nga kampionët, ndërkohë që Vioresin Sinani dhe Eleandro Pema mund të firmosin për Vllazninë dhe Dinamon.
Trajneri i Teutës, Hysen Dedja, dështoi në seancën e parë stërvitore si drejtues i saj pasi të mërkurën për shkaqe teknike ishin vetëm katër lojtarë të pranishëm, ndërkohë që ekipi i presidentit Hasanbelliu pritet të pësojë firo pas ndeshjeve të Kupës UEFA, ku të paktën dy lojtarë, Shkëmbi dhe Devolli, kanë nënshkruar për Partizanin. Edhe rumuni Silviu Dumitresku, i cili këtë sezon do të drejtojë fituesen e Kupës së Shqipërisë, Besën e Kavajës, është një fytyrë e njohur në sportin shqiptar pasi sezonin e kaluar drejtoi Apoloninë për disa javë përpara se të shkarkohej nga presidenti Koco Kokëdhima. Besa e Bizhdilit është një ndër më aktivet në merkato, kjo falë edhe mundësisë financiare të presidentit të saj, po dhe të synimit për një paraqitje dinjitoze në një aktivitet ku merr pjesë për herë të parë, qysh nga viti 1972. Lista e merkatos kavajase fillon me portierin maqedonas Suad Zendeli dhe përfundon po me një portier, lushnjarin Taulant Guma. Emrat e afrikanëve Ishaka dhe Fortunatdo janë në grupin "Besa 2007-2008", ndërkohë që nga pesë blerjet e Bizhdilit, tri janë lojtarë që vijnë nga Maqedonia.
Trajneri i fundit i konfirmuar është Krenar Alimehmeti, i cili u prezantua zyrtarisht nga presidenti i Elbasanit, Arben Laze. Synimi i ish-trajnerit të Tiranës dhe Erzenit (Kategoria e Parë) është ngritja e një ekipi të aftë që të arrijë në zonën europiane, pavarësisht se nga verdheblutë janë larguar gjashtë lojtarë, përfshi dhe kapitenin Elvis Kotorri. Trajneri i vetëm debutues është Gugash Magani i Shkumbinit, ndërkohë që klubi realizoi nënshkrimet e para: Saliu, Ndoni e Xhyra.

Trajnerët 2007-2008

1.Tirana, Sulejman Starova
2.Teuta, Hysen Dedja
3.Vllaznia, Mirel Josa
4.Partizani, Hasan Lika
5.Dinamo, Agim Canaj
6.Besa, Silviu Dumitresku
7.Elbasani, Krenar Alimehmeti
8.Shkumbini, Gugash Magani
9.Flamurtari, - ?
10.Kastrioti, Ramadan Ndreu
11.Skënderbeu, -?
12.Besëlidhja, Vasil Bici (?)

Kampionë
Vetëm tre trajnerë, që kanë fituar të paktën një titull kampion në Kategorinë Superiore, do të drejtojnë në sezonin 2007-2008: Sulejman Starova, Hysen Dedja dhe Mirel Josa.

I huaj
Trajneri i vetëm i huaj që do të drejtojë një skuadër shqiptare është Silviu Dumitresku. Rumuni sezonin e kaluar udhëhoqi Apoloninë, ndërsa këtë sezon ka zgjedhur Besën.

Pa trajner
Tri skuadrat ende pa një trajner zyrtar janë: Besëlidhja (kandidat Vasil Bici), Skënderbeu (Jani Kaci) dhe Flamurtari(garë midis Eqerem Memushit dhe Edmond Licajt).

Debutuesi
Legjenda peqinase, ish-futbollisti i njohur Gugash Magani, i konfirmuar si trajneri i Shkumbinit, do të bëjë debutimin e tij si trajner. Sezonin e kaluar ishte ndihmës i Bicit dhe Sejdinit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›