E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Adriano donte të vetëvritej"

Periudha e trishtueshme për Adrianon duket se ka marrë fund. Rrjetat e realizuara në 26 ndeshje me Sao Paolon kanë fshirë momentet e vështira që lojtari ka kaluar në Itali. Nëna e tij, Rosilda, ka rrëfyer në një intervistë për televizionin "Bandeirantes" se kur ishte pjesë e kontingjentit të Interit, sulmuesi ka kaluar momente depresioni të forta. Ajo deklaroi: "Në atë kohë mendoi edhe të vriste veten. Ishte në depresion. Ka kaluar momente të vështira, siç ishte vdekja e të atit dhe gjëra të tjera". Ndër të tjera, Rosilda tha se Adriano e vuante shumë situatën e krijuar rreth tij. Ditë e natë braziliani ndiqej nga gazetarët dhe paparacët, të cilët shpresonin ta kapnin në gabim. "Na rrethonin shtëpinë. Kritikat që i bënin e demoralizonin së tepërmi. Kur shkoi për të luajtur në Itali, ishte shumë i ri. Ndjehej vetëm, kishte nevojë për përkujdesje, për një person që t‘i qëndronte pranë edhe në momentet më të vështira", vazhdoi më tej nëna e sulmuesit.

Gjatë momenteve më të vështira të karrierës së Adrianos, Rosilda ishte transferuar në Milano, për të mbështetur të birin: "Largova nga shkolla Tiagon (vëllain e futbollistit), me qëllimin që edhe ai të qëndronte sa më pranë Adrit. Duhet të kemi parasysh se në jetë nuk ka vetëm momente dhe gjëra të bukura". Rosilda theksoi se tashmë qendërsulmuesi është shumë i lidhur me të: "Më telefonon gjithmonë përpara çdo ndeshjeje". Sot, së bashku me San Paolon e tij, Adriano do të luajë një sfidë tejet të rëndësishme, në shtëpi kundër Fluminenses: përballja e parë në çerekfinalet e Kupës Libertadores. Takimi i kthimit do të zhvillohet javën e ardhshme në Rio de Zhaneiro. Mamaja e lojtarit, që sipas të gjitha gjasave në merkaton e verës do të rikthehet tek Interi, është shumë e frikësuar se ndeshja mund të përfundojë me penallti: "Do të ishte më mirë që Adri të shënonte gjatë ndeshjes, penalltitë më bëjnë të vdes nga emocionet".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›