Ndërlikohet Amauri-Juve. Në garë hyn edhe Reali
Transferimi i Amaurit te Juventusi është shndërruar në telenovelën e kësaj vere. Pas "problemeve" me sulmuesin brazilian, i cili duket i pavendosur për kalimin në Torino (shkak është bërë interesimi i shumë klubeve të mëdha evropiane), drejtuesit bardhezi po hasin pengesa edhe nga Palermo. Tre orë e gjysmë bisedime nuk i kanë mjaftuar administratorit Blank që të gjejë një zgjidhje për marrëveshjen me drejtorin sportiv të sicilianëve, Rino Foski. Palët do të takohen sërish, por oferta prej 15 milionë eurosh, plus një lojtar (Gurguf, Marcorati, Samarko ose Kopola) e Milanit, duket një rrezik serioz. Por, sipas mediave italiane, nëse kuqezinjtë nuk sigurojnë një vend në Champions, Amauri nuk dëshiron të bëhet pjesë e skuadrës dhe kjo i hap rrugë kalimit te Juventusi. Për sulmuesin interesohet edhe Reali i Madridit, që duket i gatshëm të paguajë 25 milionë euro në dorë. Problem që duhet zgjidhur është edhe rroga: Juve ofron 3,5 milionë euro në sezon, ndërsa milanistët 750 mijë euro më shumë.