E Diel, 1 Nëntor 2026

Ramos flet për Totenham: Kriza, se ikën yjet

Nga Altin Latifi
Huande Ramos ka fajësuar largimin e yjeve të skuadrës për krizën që kaloi klubi i Totenhemit në këtë fillim sezoni. Trajneri spanjoll tashmë kërkon 9.5 milionë euro dëmshpërblim nga klubi londinez për shkarkimin e tij. 

Ish trajneri i Totenhemit Huande Ramos fajësoi largimin e dy sulmuesve kryesorë të skuadrës Dimitar Berbatov dhe Robi Kin për gjendjen e dobët në fillimin e sezonit. Tashmë i larguar nga drejtimi i Gjelave, Ramos ka kërkuar 9.5 milionë euro dëmshpërblim nga drejtuesit e klubit londinez, ndonëse e çoi deri në buzë të greminës Totenhemin. Sipas Ramos, ikja e Berbatov drejt Mançester Junajtid dhe Robi Kin për te Liverpuli, bëri që skuadra të mbeste pa pika referimi në sulm, duke arritur vetëm dy pikë nga 8 ndeshjet e para. Në komentin e bërë në uebsajtin e tij, Huande Ramos shkruan se ndryshimet e mëdha të bëra përpara fillimit të sezonit, bënë që skuadra të mos punonte e qetë. Disa nga lojtarët e ardhur ishin shumë të rinj dhe pavarësisht cilësive të tyre, kishin nevojë të përshtateshin” tha Ramos. Ai shtoi gjithashtu se pasi mori Kupën e Ligës një vit më parë, këtë sezon priste një sukses më të madh nga skuadra e tij. “Gjithsesi, pas rezultateve të marra, e prisja shkarkimin”, deklaroi trajneri spanjoll. Vendin e Huande Ramos te Totenhemi tashmë e ka zënë ish-tekniku i Portsmuthit Herri Redknap.(a.r/balkanweb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›