E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adriano, lamtumirë e përkohshme: Futbolli nuk më argëton më

Adriano largohet nga futbolli… të paktën për pak kohë. Anonçimin e ka bërë vetë sulmuesi i Kombëtares braziliane gjatë një konference për shtyp në hotelin "Windsor", në Barra da Tijuka, lagjja ku babon në Rio de Zhaneiro. "Nuk jam i sëmurë, ashtu si thonë shumë njerëz. Më nevojitet vetëm të qëndroj i qetë, pranë familjes time, nënës time, gjyshes time dhe atyre njerëzve që më duan", tha ai. Në këtë vendim tronditës Interi nuk ka aspak lidhje: "Nuk kam asgjë kundër klubit, aq më tepër kundër Moratit, që për mua ka qenë si një baba dhe më ka qëndruar gjithë kohën pranë. Gjithsesi, nuk më pëlqen të jetoj në Itali, ndihesha gjithë kohën nën presion: isha në qendër të vëmendjes që prej moshës 18-vjeçare. Në Brazil ndihem i lumtur, edhe pse u trishtova që në gazeta u publikuan disa lajme të pavërteta. Nuk marr drogë dhe nuk jam i alkoolizuar. Madje, nuk kam as lidhje me trafikantë droge. Po t‘i kisha bërë të gjitha këto gjëra nuk do të isha futbollist. Jam i gatshëm të heq dorë edhe nga paratë, ato nuk janë gjëja më e rëndësishme në jetën time". Kjo është mënyra sesi Adriano thotë "mjaft". Spekulimet nuk kanë munguar. Disa thonë se sulmuesi do të ndërrojë mendje dhe shumë shpejt do të zbresë sërish në fushë, ndërsa për të tjerë pas kësaj zgjedhjeje mund të fshihet dëshira për t‘u transferuar te Flamengo. "Nuk jam i sëmurë, nuk kam nevojë për ndihmën e doktorëve apo psikologëve", shtoi 27-vjeçari. "Do të kthehem si futbollist kur brenda meje të jem përsëri i lumtur". Pas pohimit të sulmuesit reagoi edhe trajneri Hoze Murinjo: "Shumë mirë, nëse me largimin nga futbolli Adriano është i lumtur jemi në rregull. Interi ka bërë gjithçka për ta ndihmuar, edhe përpara emërimit tim në krye të skuadrës. Të gjithë e kemi ndihmuar".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›