Adriano te Fenerbahçe? R. Carlos: "Eja këtu"
Ka filluar zyrtarisht operacioni i Adrianos për rikuperim. Pas lajmërimit të lamtumirës së përkohshme në futboll, shumë janë mobilizuar për ta bërë t‘i rikthehet "rrugës së drejtë". I fundit është bashkatdhetari Roberto Karlos, i cili dëshiron ta marrë te Fenerbahçe. Mbrojtësi brazilian po përpiqet të bindë drejtuesit e klubit turk të kontaktojnë me ish-perandorin. Për të njohur të ardhmen e Adrianos, ditët në vijim do të jenë vendimtare. Gjatë javës, në fakt, menaxheri i tij, Gilmar Rinaldi, pritet të shkojë në Milano për të diskutuar me Interin mbi prishjen e kontratës. Siç dihet, nuk është hera e parë që Adri hyn në shënjestrën e Fenerbahçes: që në vitin 2007, kur ishte trajner Ziko, klubi i Stambollit kishte treguar interes për sulmuesin. Gjithçka do të varet nga marrëveshja që do të arrihet me zikaltrit, duke marrë parasysh se ekziston një klauzolë që ia ndalon Adrianos të transferohet në një klub tjetër evropian, në rast vendimi të njëanshëm.