E Diel, 1 Nëntor 2026

Kallëzohet botuesi, dyshohet se botoi në mënyrë të paligjshme një libër



Tiranë – Një botues është paditur në Prokurori nga një koleg i tij, pasi mendohet se ka botuar në mënyrë të jashtëligjshme librin të drejtën e botimit të të cilit pretendohet ta kishte ky paditësi. Burimet policore thanë për gazetën se dje u dërguan materialet në Prokurorinë Tiranës, për veprën penale të “Riprodhimit pa të drejtë të veprës së tjetrit”, nga specialistët e seksionit Kundër Krimit Ekonomiko - Financiar, në ngarkim të shtëpisë botuese “Dritan”, e përfaqësuar nga shtetasi Vladimir Bako, 50 - vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Ndaj kësaj shtëpie botuese, është deponuar pranë këtij seksioni një kallëzim penal nga një shtetas pronar i një shtëpie botuese, i cili deklaron se shtëpia botuese “Dritan”, ka botuar pa të drejtë veprën për të cilën, të drejtën e botimit e ka pasur ekskluzivitetin vetëm shtëpia botuese e tij.

Ndalohen dy të rinj nga Vlora, dyshohet për trafik të heroinës

TIRANË - Dy të rinj nga Vlora u arrestuan dje pasdite në kryeqytet, pasi ata dyshohet të jenë pjesë e një grupi që shpërndan dhe shet lëndë narkotike të llojit heroinë. Burime zyrtare të policisë së Tiranës thanë se Arjan Mërtiraj, 28 vjeç, dhe Ervin Faria, 30 vjeç, u arrestuan në flagrancë në afërsi të stadiumit “Dinamo”, pas një hetimi dy javor. Pas një kontrolli të ushtruar në një banesë që përdorej nga shtetasi Ervin Faria në Tiranë, policia sekuestroi 100 gram lëndë narkotike që dyshohet të jetë e llojit heroinë, 40 gram lëndë narkotike të llojit marijuanë, një automjet tip Benz, 5 telefona celularë si dhe një sasi parash, për të cilat dyshohet se janë të përfituara nga shitja e narkotikëve. Aktualisht strukturat e antidrogës së Tiranës janë duke bashkëpunuar me Drejtorinë e Policisë së qarkut të Vlorës dhe prokurorinë e Tiranë për zbardhjen në tërësi të këtij rrjeti.

25 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›