Zizja dhe Alma dy korrierët e maskuar të trafikut të heroinës
TIRANË – Pas arrestimit të 9 personave, të dyshuar si pjesëtarë në një grup të strukturuar kriminal të trafikut të heroinës, policia ka mundur të zbardhë rolin e gjithsecilit prej tyre në veprimtarinë e kundërligjshme.
Ndjellëset e klientëve
Burimet thanë se rolin më të veçantë e kanë pasur dy motrat, Zizja dhe Alma, përkatësisht 25 dhe 20 vjeç. Ato merreshin me afrimin e klientëve, të cilët i gjuanin teksa ata kishin nevoja të përdorimit akut të drogës. Burime policore thanë për gazetën se vajzat ishin fare pak të dyshuara, pra nuk binin në sy të policisë se ato afroheshin me klientët dhe dukej sikur ishin në shoqërinë e tyre. Pikërisht kjo maskë e vajzave iu kishte dhënë mundësinë shpërndarësve të cilët vinin te përdoruesit me doza heroine dhe paguheshin aty për aty. Vajzat që vepronin me kujdes u zbuluan falë deklarimeve që bënë disa prej përdoruesve. Madje uniformat blu kanë zbuluar të gjithë mekanizmin e veprimit të tyre dhe lidhjet që ato mbanin me pjesëtarët e tjerë të grupit.
Operacioni
“Bardh e Zi-ja” e policisë, operacion ky për shkatërrimin e një grup shpërndarësish të heroinës në Tiranë, përfundoi paraditen e dy ditëve më parë me arrestimin e nëntë personat e implikuar në këtë rrjet. Pjesëtare të grupit ishin edhe dy motrat Mehmeti, që u kapën në afërsi të shkollës “Bajram Curri”. Edhe pse nuk ka mundur të sekuestrojë më shumë se 30 gram heroinë, uniformat blu kanë prova të pakontestueshme për të vërtetuar veprën penale të 9 të arrestuarve. Burimet policore thanë se ky grup furnizonte me drogë përdorues të shumtë në zonat e Xhamllikut, Alliasit, në zonën e Varrezave të Tufinës, Varrit të Bamit dhe Kinostudios. Madje edhe emri i bandës në dosjet e hetimit është “grupi i Kinostudios”. Sipas policisë hetimet për identifikimin dhe arrestimin e këtyre personave zgjatën më shumë se tre muaj. Grupi i hetimit përcaktoi si kapo të bandës 30-vjeçarin Krenar Dajti, ndërsa tetë të tjerët ishin “ushtarë” të tij. Operacioni “Bardh e Zi” u përqendrua në rrugën “Bajram Curri” në Tiranë, ku banonin pjesa më e madhe e pjesëtarëve të këtij grupi. Nëntë të implikuarit në këtë rrjet, mes të cilëve edhe një vajzë 20-vjeçare, u prangosën në shtëpitë e tyre, ndërkohë që hetimet për këtë çështje nuk konsiderohen të mbyllura. Personat e arrestuar përveç Krenar Dajtit, ishin: Bledar Kovaçi, 27 vjeç, me pseudonimin “bjondi”, Zamir Gjuzi, 24 vjeç, i njohur me pseudonimin “Zamir Qorri”, Agron Koçi, 33 vjeç, me pseudonimin “Gjon Rrapi”, Elidon Xhiku, 22 vjeç, Geris Lala, 24 vjeç, Sokol Mhilli, 42 vjeç, Zizja Mehmeti, 25 vjeç dhe Alma Mehmeti, 20 vjeç. Sipas policisë të gjithë këta persona, banorë të një lagjeje, bënin pjesë në një rrjet të fuqishëm, i cili organizonte dhe monitoronte tregun e shitjes së heroinës në kryeqytet dhe kryesisht në zonën e Xhamllikut, në rrugën “Bajram Curri”, në Allias, në rrugën “Hoxha Tasim”, zonën e varrezave të Tufinës, Zonën e Varrit Bani dhe në zonën e Kinostudios. Ndërkohë gjatë arrestimit, atyre iu sekuestruan në cilësinë e provave materiale një automjet, i cili shërbente për shpërndarjen e lëndës narkotike heroinë, rreth 30 gramë lëndë e dyshuar heroinë, shuma e parave prej 70 000 lekësh të përfituara nga kjo veprimtari, si dhe 6 aparate celulari.
25 Korrik 2008