E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aeroporti, Zgjerohet terminali për pasagjerët

Ky është terminali i ri i pasagjerëve në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas, i cili pritet të inagurohet brenda pak ditësh, duke shënuar kështu përfundimin e investimit për fazën B, për zgjerimin dhe modernizimin e këtij aeroporti.
Investimi gjatë kësaj faze nga ana e konçensionarit Tirana International Airoport shkon në rreth 20 milionë euro dhe krijon më shumë hapësira si për pasagjerët ashtu edhe për kompanitë ajrore që operojnë në këtë aeroport. Drejtoresha ekzekutive e Aeroportit Andrea Gebbeken, thotë se falë këtij investimi tashmë mund t’ju shërbehet me një cilësi më të lartë një numri prej të paktën 1 milion e gjysëm pasagjerësh në vit, teksa pothuajse janë dyfishuar sportelet e pritjes dhe të trajtimit të bagazheve.
Andrea Gebbeken Drejtore Ekzekutive TIA “Këtu jemi në një nga pjesët e terminalit të ri, i cili është drejt përfundimit dhe pritet të hapet në 9 shtator, por siç edhe mund të shihni, kemi nisur të përdorim disa nga hapësirat për sportelet.
Ne do të kemi 14 sportele të reja pritjeje, banke dhe agjenci këmbimi valutor. Ndërsa në pjesën mbrapa, pas kontrollit të dokumentave, do të kemi 3 porta të reja për daljen e pasagjerëve në pistë, bar të ri dhe një hapësirë të madhe dyqanesh. Ky terminal ku ndodhemi tani mund t’ju shërbejë të paktën 1 milionë e gjysëm pasagjerëve në vit. Vetëm vitin e kaluar ne arritëm të rregjistrojmë 1,3 milionë pasagjerë, pra duke parë këtë ecuri ne po vijojmë me programin e zgjerimit.”
Sipërfqja e zgjeruar në terminalin e pasagjerëve shkon në rreth 4 800 metra katrorë, 890 prej të cilave i takojnë pajisjeve për transportin e bagazheve. Ndërkaq është mëse 2-fishuar edhe hapësira e sallës biznes. Drejtues të Aeroportit shtojnë se pasagjerëve do t’u ofrohen shërbime më cilësore. Struktura me një kat dhe kanale shërbimi nëntokësore, është e pajsiur me sistem kondicionimi dhe ngrohjeje. Edhe kjo fazë e punimeve në këtë terminal kanë mbajtur firmën e arkitekit malajzian Hin Tan. Lartësia e fasadës shkon në 13,5 metra dhe është një ndërthurje e strukturave metalike me muret e qelqtë. Faza e parë e ndërtimit i terminalit për pasagjerët, filluar në maj 2005 e që kushtoi rreth 50 milion euro, përfundoi në pranverën e 2007, duke mundësuar një kapacitet prej 1 milion pasgjerësh në vit, ndërkohë që me zgjerimin e ri kjo shifër rritet edhe me 500 mijë pasagjerë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›