Aeroporti i Rinasit ndali punën për 45 minuta
Ekstradimi i Aldo Bares dhe masat e rrepta të sigurisë kanë ndaluar për pak minuta edhe punën e aeroportit ndërkombëtar "Nënë Tereza". Policia nuk ka lejuar hyrje dhe dalje për persona të ndryshëm në aeroport, që nga momenti që është vënë në dijeni se do ulej avioni, derisa me mjet të blinduar, Aldo Bare është nisur drejt Tiranës. Gjatë kësaj kohe nuk ka pasur asnjë fluturim tjetër, por sipas të dhënave, ishte zgjedhur edhe një orar që të mos kishte probleme. Sipas të dhënave nga operacioni, i gjithë aktiviteti ka qenë tepër sekret, ndërkohë që edhe vetë efektivëve nuk u është treguar se kush po ekstradohej. Atyre u është thënë vetëm në momentin e fundit. Pas ekstradimit të tij, në aeroport ka rifilluar aktiviteti normal, pa shkaktuar probleme.