E Shtunë, 31 Tetor 2026

Panterat rozë

Po ta shoshësh në pamje të parë, madje edhe në fotografinë ku ka pozuar bashkë me Yvo de Boer, përgjegjësin e Kombeve të Bashkuara për klimën, duket shumë e rëndë dhe e zemëruar. Por duart e lidhura në mes tregojnë se Connie Hedegaard, ministrja daneze për Klimën dhe Energjetikën, nuk dorëzohet lehtë. Prej dy vjetësh, si presidente e "Cop 15", Konferenca e OKB-së për klimën që do të mbahet në Kopenhagën nga data 7 deri më 18 dhjetor, ka punuar shumë bashkë me stafin e saj për t‘i bindur krerët e shteteve dhe ministrat që "marrëveshja nuk duhet të jetë një copë letër, por të përfshijë të gjitha elementet për të luftuar ngrohjen globale dhe të caktohet një kufi që e bën atë ligjërisht të detyrueshme për të gjitha kombet". "Danimarka po punon shumë për të arritur një rezultat të suksesshëm në konferencë", ka thënë 49-vjeçarja Connie Hedegaard, anëtare e Partisë Konservatore dhe njëkohësisht deputete e Folketinget, Parlamentit danez. "Në Kopenhagën do të flitet për reduktimin e emetimit, teknologjinë, financimet dhe do të vendoset se kur do të arrihet një marrëveshje e cila është politikisht e detyrueshme".
Connie është e martuar dhe nënë e dy fëmijëve. Para se t‘i dedikohej edhe një herë politikës, merrej me gazetari. Më 2004-n iu rikthye sërish politikës si përgjegjëse e Ministrisë së Ambientit. Entuziazmi dhe vendosmëria e Connie janë simbol i një realiteti që në Europë sheh gjithnjë e më shumë femra të ballafaqohen me jetën publike.
Janë luftëtare, punëtore të palodhshme dhe gjithmonë gati për të sfiduar me shumë guxim gjininë mashkullore në territorin e tyre që është politika.
Janë femra të reja, të cilat premtojnë shumë për të ardhmen: e tillë është gjermania Manuela Schwesig, 35 vjeçe, ministre e Punëve Sociale dhe Shëndetësisë në Mecklenburg-Pomerania (gjithashtu prej një jave, zëvendëspresidente e SPD-së, Partisë Socialdemokratike gjermane); por edhe zonja në moshë dhe me shumë eksperiencë si Vaira Vike-Freiberga, 72 vjeçe, e cila prej vitit 1999 deri më 2007-n ka qenë Presidente e Letonisë, ndërsa tani është e vetmja kandidate femër në presidencën e Bashkimit Europian, si dhe më e votuara në faqen e internetit të fondacionit "Schuman".
Personalitetet janë nga më të ndryshmet, por forca e re rozë ka të përbashkët guximin për të rrezikuar dhe forcën për të vepruar. Këto karakteristika dallohen edhe tek politikania spanjolle Esperanza Aguirre Gil de Biedma, 57 vjeçe, kryetare aktuale e Partisë Popullore të Spanjës. Parimi i saj është: "Duhet të jemi të pathyeshëm ndaj korrupsionit. Nderi është një prej thesareve më të çmuara që kemi". Kur në shkurt të këtij viti ndodhi skandali Gürtel (një rrjet korrupsioni i nxitur nga zhvillimi imobiliar çoi në gjyq 83 anëtarë të Partisë Popullore), Mariano Rajoy, lideri i konservatorëve spanjollë që prej vitit 2004, mbrojti pafajësinë e rreme të militantëve të tij. Espe, siç e thërrasin miqtë, largoi menjëherë nga detyra tre deputetë rajonalë, katër kryetarë bashkie dhe ish-ekspertin e sportit, Alberto López Viejo.
Bijë e një avokati të borgjezisë së lartë madrilene, motra e madhe e tetë vëllezërve, e martuar me fermerin e pasur, Fernando Ramírez de Haro, Esperanza është avokate dhe nënë e dy fëmijëve. Katolike dhe aktiviste e betuar kundër abortit, ishte e para në radhët e demonstrimit të 17 tetorit që u zhvillua në Madrid kundër reformës së abortit të propozuar nga Kryeministri socialist, José Luis Rodríguez Zapatero. "Më duket çmenduri që vajzat 15-vjeçare, të cilave u ndalohet të blejnë birrë, mund të abortojnë pa miratimin e prindërve", thotë.
Shpërthyese dhe shumë komunikuese, edhe ajo si çdo njeri tjetër ka një mit: ish-kryeministren konservatore angleze, Margaret Thatcher. Esperanza ka qenë gruaja e parë që u emërua në postin e ministres së Kulturës dhe Arsimit. E hapur, ekstravagante, me një gardërobë të pasur ku mund të gjesh të gjitha veshjet nga fustanet e mbrëmjes te kostumet "Zara", adhuruese e cigareve dhe golfit, shumë supersticioze, Esperanza është bërë shumë e famshme për gafat e saj të ekzagjeruara nga programi "Caiga quien canga".
Prej vitesh liderja lufton kundër kryetarit të Bashkisë së Madridit, Alberto Ruíz Gallardón, një rival mjaft i fortë dhe koleg i partisë. E ardhmja e saj politike do të varet nga zgjedhjet administrative të vitit 2011. Nëse lideri i PPE-së do të humbasë sërish, Espe do të kandidojë për të drejtuar Partinë Popullore në zgjedhjet e vitit 2012. Ndërkohë, vazhdon të korrë sukses në Madrid, edhe pse qëllimi i saj është Monkloa, selia e Kryeministrit spanjoll.
Qëllimi i politikanes franceze, Marine Le Pen, 41 vjeçe, fëmija i tretë dhe vajza e preferuar e themeluesit të Frontit Nacional Jean-Marie Le Pen, është ringjallja e fatit të Frontit Nacional, partisë së të atit, e cila ishte mjaft dobët në zgjedhjet e fundit. Por tentativat për t‘i ndryshuar imazhin e partisë u përballën me rezistencën e mbrojtësve të vjetër. Kështu, ka gjasa që as në zgjedhjet administrative që do të zhvillohen në mars të 2010-s nuk do të jetë e lehtë të mbrohen pozicionet aktuale: temat si lufta kundër emigracionit dhe siguria, janë bërë tashmë parullat e UMP-së, partisë në pushtet.
E divorcuar dy herë, avokate dhe nënë e tre fëmijëve, Marine, këmbëngul të mbledhë në pranverë të 2010-s kongresin e FN-së, ku është edhe zëvendëspresidente. Ndërkohë, madamë Le Pen është angazhuar të forcojë edhe më shumë rolin e saj mediatik. Pikërisht në TV, në një emision të kanalit "France 2", ndezi një debat kombëtar duke cituar disa fraza nga romani "La mauvaise vie", i Frédéric Mitterrand, në të cilin ministri aktual i Kulturës flet për turizmin seksual. Marine ka përfituar nga rasti që të kërkonte dorëheqjen e ministrit, të cilin e akuzonte edhe për mbrojtjen e regjisorit Roman Polanski, i cili u arrestua para disa javësh në Zvicër. Thirrja e saj për të dënuar shkeljen e vlerave nga ata që mendojnë se ka të drejtë të bëjë gjithçka, ka bërë që në postën e saj elektronike të mbërrijnë qindra e-mail-e, të dërguara edhe nga mbështetësit e UMP-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›