Doktoresha e Burgut 313: Bare vuan nga veshkat, u operua në Turqi
Banori më i ri në burgun e sigurisë së lartë në kryeqytet, i njohur ndryshe Burgu 313, është Aldo Bare, i ekstraduar dje paradite nga Turqia, vend në të cilin ishte arrestuar nga autoritetet vendase nën akuzën e falsifikimit të dokumenteve. Rreth orës 11:00, një autoblindë e Policisë së Shtetit ka depërtuar në ambientet e burgut. Pas procedurave me verifikimin e letërnjoftimit, Bare i është nënshtruar një kontrolli mjekësor nga doktoresha e burgut. Fillimisht, kreu i Bandës së Lushnjës ka deklaruar se gjatë qëndrimit në burgjet turke i është nënshtruar një operacioni në veshka. "Nga vizita mjekësore ka rezultuar se Bare vuan nga një sëmundje në veshka. Në Turqi i është nënshtruar një operacioni, pasi kishte gur. Ai do të mjekohet me të gjitha medikamentet mjekësore" thanë autoritetet e Burgut 313.
S.Ç.
S.Ç.