E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata: 4 vjet burg për kreun e këshillit bashkiak të Tepelenës

Gjykata e Krimeve të Rënda ka dënuar me katër vjet burg Petrit Abedinin, kreun e Këshillit Bashkiak të Tepelenës, i akuzuar për trafik droge. Sipas vendimit, 50-vjeçari ka tentuar të dërgojë hashash në shtetin grek. Nga hetimi gjyqësor ka rezultuar se në bazë të informacionit, nga Policia e Gjirokastrës në datën 18 gusht 2009, në pikën kufitare Kakavijë është bërë kontrolli i automjetit tip kamion me targa TP 2798 B dhe rimorkio me targë TP 2808 B, në pronësi të Abedinit. Nga kontrolli i automjetit janë gjetur 43 pako të mbështjella në forma të çrregullta me qese plastmasi. Lënda narkotike është gjetur poshtë dërrasave të vendosura në dyshemenë e trajlerit. Sasia e lëndës narkotike, gjithsej në të gjitha pakot, ishte 35 kg. I akuzuari ka pranuar akuzën, duke kërkuar gjykim të shkurtuar. Nga kjo "lojë" ka fituar uljen deri në 1/3 e dënimit. Kështu, përfundimisht është dënuar me katër vjet heqje lirie dhe me 6 milionë lek gjobë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›