Aeroporti i Tiranës pezulloi fluturimet për 30 minuta
Aeroporti "Nënë Tereza" në Rinas ka pezulluar dje në mesditë të gjitha fluturimet për një periudhë prej 30 minutash. Asnjë avion nuk ka mundur të ngrihet nga pista e aeroportit të vetëm ndërkombëtar të Tiranës sipas orareve të parashikuara. Ka qenë kjo një masë paraprake që është marrë nga drejtuesit e portës unike të fluturimeve shqiptare menjëherë pas shpërthimit të ndodhur pak pas orës 12:00 të mesditës së djeshme, në depot e municioneve në repartin ushtarak të Gërdecit në Vorë. Kjo zonë ushtarake ndodhet vetëm pak kilometra në zonën perëndimore të Tiranës dhe fare pranë zonës së banuar.
Shpërthimi i municioneve të depozituara në këtë depo, ku ato prisnin radhën për t‘u shkatërruar, nuk ka kursyer as aeroportin e vetëm ndërkombëtar në vend. Dyert prej xhami të pjesës ballore të aeroportit të menaxhuar nga një kompani gjermane e njohur në këtë fushë janë thyer, duke përhapur fillimisht panik te pasagjerët që prisnin të fluturonin në destinacione të ndryshme. Drejtuesit e aeroportit kanë ndërhyrë menjëherë për të qetësuar situatën e krijuar. Arlinda Causholli, zëdhënëse e Aeroportit të Tiranës, pohoi zyrtarisht se disa nga dritaret dhe dyert e xhamit u thyen. "Ne evakuuam pasagjerët nga zonat e prekura dhe pezulluam fluturimet për rreth 30 minuta", shpjegoi më tej ajo. Ndërkohë që më pas edhe vetë drejtuesit e aeroportit pohuan se situata ishte krejtësisht nën kontroll dhe se fluturimet e planifikuara të avionëve kanë vijuar punën normalisht. Kjo ka ndodhur menjëherë pasi u vërtetua se sistemet e komunikimit dhe navigimit ishin në rregull dhe se gjithçka funksiononte normalisht, duke mos krijuar asnjë problem për udhëtimin e avionëve.
Ndërkohë që paniku është përhapur fillimisht nga burime jozyrtare, që kanë dhënë një informacion të frikshëm, por fatmirësisht të pavërtetë. Sipas tyre, bëhej fjalë për rrëzimin e një avioni në zonën ku ndodhi shpërthimi. Një lajm i tillë shumë shpejt u konfirmua edhe nga organet zyrtare si i pavërtetë, për t‘ia lënë më pas vendin masave serioze dhe të menjëhershme për të kthjelluar situatën në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit.
Ky shpërthim besohet se filloi ndërsa tre skuadra punëtorësh ishin duke çmontuar municionet e depozituara aty nga rrethe të ndryshme të vendit. Tre skuadra punëtorësh, të përbëra nga 21 vetë, mësohet se punonin për procesin e shkatërrimit të këtyre predhave të tipit rus dhe kinez. Forca e këtij shpërthimi të mesditës së djeshme ishte aq e madhe, saqë jo vetëm ka dhënë pasojat e një tronditjeje të fuqishme në aeroportin ndërkombëtar "Nënë Tereza", por është ndjerë edhe rreth 12 milje larg në Durrës. Madje, raportime ka që lëkundjet e shkaktuara nga shpërthimi janë ndjerë edhe në Kosovë e Maqedoni, por që aty fillimisht është pretenduar se ka ndodhur një tërmet, derisa është marrë informacioni për ngjarjen e rëndë që në Shqipëri.