E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznes-fabrika e vdekjes

Prokuroria shqiptare ka premtuar fillimin e hetimeve intensive për ngjarjen tragjike të shënuar dje, në një fshat vetëm 12 kilometra larg Tiranës. Burime konfidenciale të saj bënë të ditur se do të merren dëshmitë e të plagosurve, punëtorë në fabrikën që merrej me demontimin e municioneve luftarake në fshatin Gërdec. Veç kësaj, pritet sekuestrimi i listave të punonjësve në depon ushtarake që shpërtheu, pasi dyshohet se në kundërshtim me ligjet shqiptare, ishin të punësuar edhe fëmijë, pa mbushur moshën e caktuar.

Në disa nga dëshmitë e të plagosurve të djeshëm, dhënë gjerësisht nga televizionet shqiptare dhe ato të huaja, kuptohej se brenda mjediseve të depos ushtarake kishte edhe djem e vajza punëtorë 13-vjeçarë. Por jo vetëm kaq. Burime të ndryshme hetimore dhe policore thonë se do të hetojnë edhe për masat e sigurisë që nuk ka zbatuar firma e kontraktuar nga autoritetet shqiptare. "Nga dëshmitë e të lënduarve, por dhe nga të dhënat jopërfundimtare të numrit të të plagosurve, mësuam se mes tyre ka edhe shumë fëmijë. Disa prej tyre janë plagosur, pasi në momentin e shpërthimit ndodheshin në afërsi të depos ushtarake. Kjo është një shkelje e rëndë ë masave të sigurisë. Kompania duhet të kishte respektuar rigorozisht perimetrin e sigurisë për raste të tilla, pasi fabrika e çmontimit të materialeve ushtarake, konsiderohet e rrezikshme", shtuan të njëjtat burime.

Sipas tyre, në ditët e ardhshme do të vlerësohet përgjegjësia e kësaj tragjedie, gjatë së cilës, deri në orët e vona të ditës së djeshme shënonte 7 të vdekur, më shumë se 200 të plagosur dhe të zhdukur. Nuk përjashtohet as mundësia e arrestimeve për personat përgjegjës. Gjatë një interviste, dje një nga drejtuesit e fabrikës pranoi se "njerëzit kanë qenë të paralajmëruar në detaje për rrezikun që mbart përpunimi i këtij lloj municioni ushtarak dhe ishim të vetëdijshëm se çdo material që mund të shpërthente mund të na rrezikonte jetën". Nga ana tjetër, banorët e fshatit Gërdec kanë treguar se oficerë të ushtrisë shqiptare, "në mënyrë shoqërore" u kërkonin shpesh që të mos hynin në tunelet me municione ushtarake të prodhimit kinez dhe rus të viteve ‘60- ‘65 dhe as të punonin atje, sepse "ishte shumë e rrezikshme".

Banorët kanë treguar gjithashtu se thuajse çdo natë në këtë zonë kishte shpërthime të vogla, më së shumti fishekësh. Edhe pse ishin ankuar shpesh tek autoritetet lokale, nuk ishte marrë asnjë masë. Puna vijonte normalisht, madje duke rekrutuar edhe fëmijë. Teksa kanë konfirmuar fillimin e hetimeve për shpërthimet e fuqishme dje në Bërdec të Vorës, burimet hetimore nuk përjashtuan edhe pista të tjera, si ajo e trafikut të municioneve, kryesisht fishekëve drejt vendeve fqinj etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›