E Shtunë, 31 Tetor 2026

Municionet luftarake kërcënojnë seriozisht Shqipërinë

Kjo ngjarje rrezikon të përsëritet sërish, pasi këto predha nuk janë "malli" i vetëm që mbush depot e reparteve ushtarake në zona të ndryshme të vendit. Kryetari i Komitetit Minë dhe Antiminë, Besnik Alibali, tregon se në të gjithë territorin e vendit rezervat e municioneve të tilla arrijnë deri në 120 mijë tonë. Ato janë predha, bomba, mina, granata, fishekë etj. Ndërkohë që, sipas tij, këto municione duhej të ishin shkatërruar që më parë, pasi ky nuk është rasti i parë që ndodhin tragjedi të tilla. Ai përmend disa precedentë të mëparshëm, atë të Burrelit në vitin 1997, apo situatën e ngjashme, por me përmasa më të vogla në fshatin Dhëmblan të Tepelenës në 2006-ën. Ndërkohë që pohon se këto municione i përkasin periudhave të ndryshme, duke nisur që nga ato të Luftës së Dytë Botërore, pra municione gjermane, të tipit jugosllav, kinez, apo rus, të kalibrave të ndryshëm. "Ka një memorandum bashkëpunimi me SHBA-në për pastrimin e zonave nga këto municione dhe ata po e financojnë këto projekte, por sensibilizimi i popullatës mbetet ende shumë i dobët në këtë drejtim", shprehet Alibali. Sipas tij, njerëzit janë lejuar që të bëjnë ndërtime shtëpish dhe objektesh të tjera shumë pranë këtyre zonave, të cilat paraqesin rrezikshmëri shumë të madhe për ta.

Si një njohës shumë i mirë i këtyre municioneve dhe rrezikut të shpërthimit të tyre, Alibali saktëson se këto municione, duke u depozituar kohë pas kohe, arritën në sasi kolosale të përmbajtjes me eksplozivë. Ato mbushen me tritol, linet ose lëndë të tjera eksplozive, në bazë të të cilave qëndron nitroglicerina, një lëndë shpërthyese kjo mjaft e rrezikshme. "Nitroglicerina ka një pikë kritike të skadencës dhe është shumë e ndjeshme, madje edhe po të ngacmohet nga një minë. Prandaj dhe këto municione duhej të shkatërroheshin më parë", shprehet kreu i Komitetit Minë dhe Antiminë, Besnik Alibali, duke bërë kështu prezent një fakt të rrezikshmërisë së tyre.

Ai thekson se siguria njerëzore në vendin tonë është e cenuar, sidomos pas rënies në mënyrë masive të armëve dhe municioneve në duart e njerëzve, të cilët nuk kanë asnjë lloj informacioni për përdorimin e tyre. Për rastin e fundit të tragjedisë së shpërthimit të depos së municioneve në repartin ushtarak të Gërdecit në Vorë të Tiranës, ai i mëshon më shumë idesë së një gabimi njerëzor në procesin e çmontimit të tyre. Alibali shton se pistat e hetimit të ngjarjes duhet të shtrihen më tej, pa përjashtuar këtu as akte sabotazhi apo terrorizmi, megjithëse ai më tepër i mëshon hipotezës së një gabimi human.

Kriteret

Çmontimi i predhave, kushtet teknike

dhe cilësitë e punëtorëve

Distanca e zonave të banuara nga repartet ushtarake që kanë depo të tilla predhash, minash e bombash duhet të jetë minimumi 5 kilometra larg, në rast se ato kanë të depozituara të paktën 20 tonë municione. Kështu shprehet specialisti Besnik Alibali. Sipas tij, janë një seri kriteresh që duhen respektuar në mënyrë rigoroze nga personat që marrin përsipër çmontimin e municioneve. Ai nuk paragjykon kompaninë e kontraktuar për çmontimin e municioneve në depot e Gërdecit në Vorë, por sqaron disa cilësi të personave që duhet të merren me këtë punë. Alibali thekson se këta punëtorë, përveçse duhet të njohin llojet e eksplozivëve, kanë nevojë për trajnime afatgjata. Ata, në asnjë mënyrë nuk duhet të hyjnë direkt në çmontimin e municioneve pa kaluar më parë një eksperiencë e trajnim për to. "Ata duhet të jenë me intelekt, të vullnetshëm, të qetë dhe jo persona që nguten, si dhe njohës të municioneve", përcakton në mënyrë të detajuar karakteristikat e çmontuesve të municioneve Alibali. Mes të tjerash ai thekson se ata duhet të jenë joduhanpirës dhe brenda territorit të depove të municionit nuk duhet lejuar prania e shkrepëseve apo materialeve të tjera që mund të shkaktojnë flakë. Ai shton se edhe këpucët e punëtorëve duhet të jenë prej llastiku dhe jo me gozhdë metalike. Ndërkohë që duhen veshje speciale dhe helmeta në kokë për secilin nga çmontuesit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›