E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mostra të ujit, qumështit e miellit, ndotje mbi normalen

Ushqimet me 100 për qind siguri dhe pastërti mund të jenë vetëm ato që gatuajmë, ose për të cilat kujdesemi në shtëpi. Po ashtu, edhe ato ushqime të cilat kanë datë skadence të rregullt janë të etiketuara apo kanë një emër prodhuesi, janë të sigurta. Nuk janë të sigurta ato që tregtohen në tregje informale dhe që tregtohen në ambiente lagjesh e janë të bëra vetë në kushte të cilat Drejtoria e Shëndetit Publik nuk i kontrollon dot. Megjithatë, në tregjet tona qarkullojnë edhe produkte të cilat mund të jenë të ambalazhuara, por që kanë ngarkesë të lartë mikro-bakteriologjike, çka do të thotë që nuk janë 100 për qind të pastra, por kanë ndotje mbi normalen. Një studim i Institutit të Shëndetit Publik tregon se uji, qumështi, kosi, mielli apo disa kampione të mallrave që tregohen kanë rezultuar të ndotura mbi normalen.

"Qëllimi i studimit është të paraqesë vlerësimin e rreziqeve mikrobiologjike dhe kimike në produkte të ndryshme", thuhet në studimin e paraqitur nga specialistët. Produktet e testuara kanë qenë rreth 1 mijë kampione lëndësh të ndryshme.

"Janë marrë mostra të qumështit dhe nënprodukteve të tij, mielli dhe produktet e tij, mish, lëngje frutash dhe ujë të ambalazhuar.

Studimi është kryer për një periudhë kohore katërvjeçare dhe pasi mostrat janë analizuar, specialistët kanë dalë në disa përfundime kryesore. Produktet me ngarkesë të lartë mikrobiologjike janë kryesisht uji dhe qumështi apo nënproduktet e tij. Kjo do të thotë se edhe uji i ambalazhuar në shumicën e rasteve nuk është i sigurt. ISHP-ja nuk jep me detaje se cilat nga markat e ujit që qarkullojnë në treg janë me cilësi të dobët nga ana e sigurisë, por thotë se: në 77 për qind të mostrave të analizuara, uji ka rezultuar me probleme. "Nga rezultatet e kontrollit mikrobiologjik rezultojnë mbi normën e lejuar në qumësht 48 për qind, kos 60 për qind, miell 30 për qind", raportohet nga studiuesit. Po ashtu, në 20 për qind të rasteve lëngjet e frutave kanë rezultuar "të ndotura" në 20 për qind të rasteve, si dhe në ujin e ambalazhuar në 77 për qind të rasteve. "Si përfundim arrijmë në konkluzionin se: është e nevojshme aplikimi i sistemit të sigurisë ushqimore për të gjitha prodhimet ushqimore", sugjerojnë 8 punonjësit e Shëndetit Publik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›