E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia, nga një gabim njerëzor

Ka qenë ndezja aksidentale e pirgjeve të barutit të grumbulluara gjatë zbrazjes së gëzhojave ajo që ka shkaktuar eksplozionin fillestar, i cili i ka dhënë jetë më pas një zinxhiri të pambarimtë shpërthimesh. Është ky skenari që përshkruan një ekspert ushtarak shumë pranë skuadrave të specializuara që operojnë prej kohësh në sektorin e shkatërrimit të municioneve.

Ndërkohë, eksplozionet masive që pasuan kanë ndodhur për shkak të përqendrimit të sasive të konsiderueshme të predhave të magazinuara shumë pranë njëra-tjetrës.

Skenar që, sipas burimit, i cili preferon të flasë në kushtet e anonimatit, bëhet i pranueshëm edhe po t‘i referohemi rrjedhës së ngjarjeve të treguara me kalimin e orëve nga dëshmitarët okularë: fillimisht u panë flakë zjarri të pasuara nga disa krisma jo shumë të forta, të cilat, pas rreth 15 minutash, u shoqëruan nga një shpërthimi gjigant, që i hodhi njerëzit që ndodheshin aty pranë deri 7-8 metra larg. "Baruti i zi, me të cilin janë mbushur predhat e artilerisë - vazhdon eksperti - gjatë djegies arrin temperatura deri 3 mijë gradë Celsius, gjë që mund të ketë krijuar edhe kushtet për nisjen e eksplozioneve zinxhir, duke tejnxehur mbushjet e municioneve".

Përkundrejt asaj që mendohet gjerësisht, sidomos duke iu referuar përmasave veçanërisht të mëdha të shpërthimeve, sipas ekspertit municioni i magazinuar në depot e Gërdecit ishte i llojit të konsideruar me rrezikshmëri të ulët. Në pjesën dërrmuese bëhet fjalë për predha artilerie të kalibrave të ndryshëm, që nisin nga kalibrat 37, 57, 85, 100 dhe maksimumi 152 milimetrash. Eksperti përjashton çdo lloj mundësie për ekzistencën në depo të armëve me mbushje të mëdha eksplozive. Sqaron se materialet luftarake me rrezikshmëri të lartë, si bomba aviacioni, mina nënujore dhe silurë janë asgjësuar falë një projekti nën kujdesin e Ministrisë së Mbrojtjes më 15 dhjetor të vitit të shkuar.

Ka qenë sasia shumë e madhe e tyre dhe magazinimi nëpër depo sipërfaqësore dhe jo në tunele të posaçme që i dha të tilla përmasa shpërthimit. Përveç vendndodhjes mbi terren, është shkelur çdo standard i mundshëm i ruajtjes dhe magazinimit të materialeve të tilla, duke lejuar ndërtimin e godinave civile në afërsi të zonës. Një tjetër faktor që e ka bërë më të pranishëm këtë rrezik është edhe lloji i municionit dhe sidomos koha e gjatë e qëndrimit të tij në magazina e depo ushtarake. Në pjesën dërrmuese bëhet fjalë për predha kineze e ruse të prodhuara në harkun kohor 1960-1965.

Çfarë mund ta ketë shkaktuar shkëndijën fillestare? Me shumë gjasa një gabim njerëzor, shpjegon eksperti, i cili mund të vijë edhe si pasojë e një cigareje të vetme të ndezur. Një rrezik tjetër shumë i madh është edhe prania e rrjeteve elektrike në ambientet ku bëhet çmontimi i predhave dhe zbrazja nga baruti. Nga ana tjetër përjashton çdo mundësi që këto materiale të rrezikshme të jenë trajtuar nga duar jo eksperte, siç u raportua nga disa media, sipas të cilave në fabrikën e demontimit punonin gra e fëmijë. "Në të vërtetë, kompani të këtij lloji pjesën më të madhe të të punësuarve e kanë afruar nga radhët e ish- ushtarakëve, të gjithë specialistë të fushës së armatimit, madje disa syresh edhe me grada të larta, si kapitenë e majorë".

Për ekspertin, tragjedia e fshatit Gërdec mund të jetë shkaktuar nga një skenar shumë i përafërt me atë të ngjarjes së 6 majit të vitit 2006 në Dhëmblan të Tepelenës, ku për shkak të shpërthimit të shkaktuar nga një pakujdesi mbetën të vdekur specialistët Ardian Hana e Namik Gjolena dhe u plagosën tre kolegë të tjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›