E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtori i fabrikës: Punonjësit qenë të vetëdijshëm për rreziqet

Ndoshta një prej dëshmive më rrëqethëse të tragjedisë së djeshme të shpërthimit në fshatin Gërdec vjen nga fjalët e Dritan Minxollit, drejtorit të kompanisë, që kryente demontimin e materialeve ushtarake. I tronditur nga të vrarët, të plagosurit e të humburit, nga seria e pafundme e shpërthimeve të njëpasnjëshme, të cilat i përjetoi nga shumë afër - dhe sidomos për shkak të një fluturimi prej shtatë-tetë metrash prej valës goditëse të më të madhit prej tyre - qe ndër të paktët që ofroi një kuadër disi të plotë të tragjedisë. Në një intervistë të dhënë për gazetarin Blendi Fevziu, tregoi hapa pas hapi gjithë zhvillimin, që nga çasti i eksplozionit të parë.

Sipas Minxollit, gjithçka filloi në harkun kohor prej orës 12:00-12:30 të drekës, orë në të cilën punonjësit marrin pushimin e drekës. Fillimisht u dëgjua se brenda në fabrikë kishte shpërthyer një zjarr. Pak kohë pas kësaj u dëgjuan disa shpërthime jo shumë të zhurmshme, të cilat pas 12-13 minutash u shoqëruan nga shpërthime relativisht të forta. Rreth 15 minuta më vonë u dëgjua edhe shpërthimi që tronditi gjithë Tiranën. Pyetjes se sa njerëz gjendeshin në ato çaste brenda ambienteve të fabrikës nuk mundi t‘i japë përgjigje me saktësi për momentin, por vërejti se gjasat qenë që numri të ishte i konsiderueshëm.

Minxolli vazhdon rrëfimin, duke treguar se me të dëgjuar shpërthimet e para të lehta kishte kthyer makinën për të hyrë përsëri në fabrikë, nga e cila po dilte. Në atë çast ndodhi edhe shpërthimi i parë i madh, i cili në momentin kur ai u mundua të fliste me disa nga punëtorët që gjendeshin aty pranë u shoqërua nga i dyti edhe më i fortë, që e hodhi rreth shtatë-tetë metra tej. Bashkë me disa punëtorë të tjerë u munduan të strehoheshin nën një urë aty pranë. Shumë i tronditur vazhdoi rrëfimin, duke nënvizuar se në atë orë, falë orarit të pushimit, ishin të shumtë ata njerëz që gjendeshin jashtë ambienteve të fabrikës.

Nuk diti t‘i jepte asnjë përgjigje pyetjes se cili mund të kishte qenë shkaku i shpërthimit, pasi nuk qe në gjendje të hynte më pas në fabrikë e të kontaktonte ndonjë prej të punësuarve që gjendej brenda saj. Shpjegoi se bashkë me disa punëtorë të tjerë kishin mbetur të shokuar për njëfarë kohe shumë pranë shpërthimeve, deri në çastin kur dikush i kishte marrë për t‘u dhënë ndihmën e parë.

Vetëm më pas kishte arritur të kontaktonte me disa punonjës të fabrikës. Ai sqaroi se ishte përpjekur të kontaktonte përmes telefonit me sa më shumë njerëz të ishte e mundur, gjë që i dha mundësinë të mësonte se një pjesë e të punësuarve gjendeshin në spital me plagë të lehta, ndërkohë që me disa të tjerë nuk arriti të lidhej.

Në pjesën tjetër të intervistës sqaroi se kompania trajtonte predha të prodhimit kinez dhe rus të viteve 1960-1965.

Vazhdoi duke shpjeguar se në zyrën brenda në fabrikë (ku edhe banon) kishte edhe listën e plotë të personelit që gjendej brenda në çastin e shpërthimit dhe se ai së bashku me punonjësit qenë të ndërgjegjësuar për rrezikun që përmbanin municionet ushtarake që trajtonin: "Që të gjithë punonjësit ishin të paralajmëruar dhe të vetëdijshëm se materialet që përpunonin mund të shpërthenin, duke u rrezikuar jetën".

Sqaroi më tej se brenda në fabrikë ekzistonin vende ku njerëzit mund të strehoheshin për t‘u ruajtur nga shpërthimet, duke nënvizuar se bëhej fjalë për ndërtesa dhe jo për tunele të nëndheshme. Por, sipas tij, rreziku kryesor për punonjësit ka qenë konfuzioni i shkaktuar gjatë përpjekjeve për t‘u shpëtuar eksplozioneve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›