E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aeroporti, nisin punimet për ndërtimin e terminalit të ri

Së shpejti, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës do të ketë një terminal të ri. 

Konkretisht TIA do të nisë nesër punën për zgjerimin e terminalit të ri të pasagjerëve në mënyrë që t'i hapë rrugë rritjeve të parashikuara në statistikat e transportit ajror në vend, si dhe për të lehtësuar ngarkesën në infrastrukturën ekzistuese. Ky zhvillim (i njohur si Faza B e Marrëveshjes së Koncesionit për modernizimin e aeroportit) vjen pas një periudhe rritjeje domethënëse të shënuar në shifrat e paraqitjes së aeroportit në tre vitet e fundit. Zgjerimi do të kryhet në anën veriore të terminalit dhe ishte parashikuar në projektin modern të arkitektit malajzian Hin Tan. Vlera e investimit do të jetë afërsisht 20 milionë euro. Fillimi i punimeve do të festohet në një ceremoni që do të mbahet nesër, ku do të ketë të ftuar shumë personalitete të lartë të qeverisë, përfaqësues të trupit diplomatik dhe të komunitetit të biznesit. "Zgjerimi i terminalit të ri të pasagjerëve, përveç rritjes së kapaciteteve tona për të pritur një numër akoma më të madh pasagjerësh, do të ngrejë më lart standardet e sigurisë, rehatisë dhe shërbimit për pasagjerët. Pasagjerët tanë do të kenë mundësinë të shijojnë frytet e këtij procesi të vazhdueshëm modernizimi pas shtatorit të 2009", tha Andrea Gebbeken, drejtore e Përgjithshme Ekzekutive e TIA-s. Zgjerimi fizik i terminalit do të përfshijë 14 sportele check-in, infrastrukturë për transportimin e bagazheve, hyrje të reja, 3 sportele për kompanitë ajrore, 3 dalje në pistë si dhe disa zyra në katin e sipërm. Zgjerimi i terminalit do të shtojë një sipërfaqe prej 3,943 m², në një lartësi që varijon nga 7 deri në 13.5 metra. Sipërfaqja e pajisjeve të transportit të bagazheve është 890 m², çka e çon sipërfaqen e përgjithshme të ndërtimit në 4,833 m². Volumi i objektit është afërsisht 40,000 m³. Vlerësimi i projektit si dhe mbikëqyrja e punimeve do të kryhen nga kompania inxhinierike gjermane Diwi Consult International.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›