E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet shkolla për 12 mijë nxënës

Duke nisur që nga ky vit, për nxënësit nuk do të ketë më shkolla 8-vjeçare, por 9-vjeçare duke ju shtuar kështu edhe një vit më shumë. Por në të njëjtën kohë vitet e gjimnazit nuk do të jenë më katër, por tre. 

Qeveria ka miratuar në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, disa ndryshime në ligjin "Për sistemin arsimor parauniversitar". Sipas ndryshimeve të bëra, gati 12 mijë nxënës që mbaronin arsimin e detyruar dhe nuk vijonin arsimin e mesëm do të vijojnë shkollën, duke mënjanuar futjen e tyre të parakohshme, madje dhe në kundërshtim me ligjin në tregun e punës. Reforma e sistemit arsimor përfshin edhe sistemin e arsimit të mesëm, i cili do të ketë një kohëzgjatje trevjeçare. Në thelb vitet e studimit janë 12, por tashmë do të jenë të konceptuara në këtë mënyrë. Arsimi bazë i cili është i detyrueshëm do të jetë 9 vjet, ndërsa arsimi i mesëm i përgjithshëm do të jetë 3 vjet. Sipas drejtuesve të Ministrisë së Arsimit, këto ndryshime do të sjellin ndikime pozitive në sistemin arsimor parauniversitar. Një tjetër ndryshim i miratuar dje nga Këshilli i Ministrave ishte edhe termi 'shkollë e mesme e përgjithshme' me termin 'gjimnaz'. Rikthimi i termit 'gjimnaz' pas afro 40 vjetësh korrigjon një gabim të së shkuarës. Me anë të futjes së këtij emërtimi të ri Ministria e Arsimit synon që të risjellë autoritetin dhe reputacionin e gjimnazeve të njohura të vendit, dhe të thjeshtojë terminologjinë zyrtare e ta unifikojë atë me emërtimin e mirënjohur, dhe të përdorur prej shumë kohësh nga të gjithë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›