E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha çon emrat te Topi

Pak minuta përpara se të drejtonte mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave, kreu i saj i ka dërguar Presidentit Topi propozimet për ndryshime në kabinetin e tij. 

adi shkembi

Zëdhënësja e kryeministrit, Juela Meçani bëri të ditur dje 20 minuta para mbledhjes së qeverisë, kreu i shtetit ka marrë nga kryeministri propozimet e reja për kabinetin. "Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Prof. Dr. Sali Berisha i propozoi Presidentit të Republikës Bamir Topi, në bazë të nenit të 98.1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë emërimin në postin e Zëvendëskryeministrit të zotit Genc Pollo dhe lirimin e tij nga posti i Ministrit të Arsimit dhe Shkencës", u shpreh Meçani në konferencën për shtyp. "Gjithashtu, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Prof. Dr. Sali Berisha i propozoi Presidentit të Republikës zotit Bamir Topi, emërimin në postin e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës të zotit Fatos Beja, Dr. i Shkencave Filologjike, si dhe emërimin në postin e Ministres së Shëndetësisë të Prof. As. Dr. i Shkencave Zonjën Anila Godo dhe lirimin nga kjo detyrë të zotit Nard Ndoka", vijoi më tej zëdhënësja e Kryeministrit. i sakrifikuari i madh i këtyre ndryshimeve është pikërisht kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, i cili një 15 muaj, pasi mori postin e ministrit të Shëndetësisë, detyrohet ta lërë në favor të Partisë Republikane. Nga ana tjetër kreu i shtetit ka një javë kohë për t'i shqyrtuar dekretet. Në nenin 92 të Kushtetutës, në kapitullin "Emërimi dhe shkarkimi i ministrit" thuhet se: "1. Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve. 2. Dekreti shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi". Kështu nëse kreu i shtetit do të dekretojë ndryshimet në qeveri deri të hënën paradite, ato mund të kalojnë në seancë për t'u votuar gjatë punimeve të së hënës, ndërkohë që nëse kreu i shtetit do të shfrytëzojë në maksimum afatin që i jep kushtetuta, votimi i ndryshimeve shtyhet për në seancën e fundit. Por kjo llogari shërben vetëm nëse Presidenti Topi do të kryejë rolin e noterit dhe do të firmosë ndryshimet në qeveri të Kryeministrit, ndërkohë që gjithçka vështirësohet akoma më shumë nëse kreu i shtetit do të ketë rezerva ndaj kandidatit, që do të propozohet për ministër.

PDK, sot qëndrimi zyrtar për Qeverinë

Partia Demokristiane pritet të pozicionohet sot për ndryshimet në qeveri, pasi kryetari i saj që drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë është lënë jashtë kabinetit. Burime pranë kësaj force politike bëjnë të ditur për gazetën se, gjatë mesditës së sotme pritet të mblidhet kryesia, e cila do të vendosë nëse do të vazhdojë të mbështesë qeverinë dhe të pranojë disa poste dytësore në administratë, apo do të dalë jashtë koalicionit. Ndërkohë gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit të Ministrave ra në sy edhe mungesa e kreut të PDK-së, ndërkohë që si përfaqësuese e Ministrisë së Shëndetësisë ishte zv.ministrja Sinoimeri. Ndërkohë zyrtarët e lartë të PDK-së shpresojnë ende për një rikthim të tyre në kabinetin qeveritar, teksa shtojnë se gjatë ditës së sotme mund të ketë sërish takim me përfaqësuesit e lartë të Partisë Demokratike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›