Brenda 9 ditësh Karaxhiç duhet të jetë në Hagë
Procesi i ekstradimit te Radovan Karaxhiçit nga Serbia në Hagë mund të zgjasë nga 3-9 ditë. Qeveria e Beogradit është e vendosur ta ekstradojë të shumëkërkuarin për krime lufte Karaxhiç drejt Hagës, por sipas ligjit serb, Karaxhiç ka tre ditë kohë të apelojë kundër vendimit për ekstradim. Një avokat i Karaxhiç është i vendosur që të luftojë që klienti i tij të mos përfundojë në Hagë. Avokati i Karaxhiç, Svetozar Vujaçiç ka nisur punën për apelimin kundër vendimit të gjykatës së Beogradit për ekstradim. Afati i fundit për avokatin e Karaxhiç është dita e premte. Ai tha se Karaxhiç aktualisht ndihet në gjendje të mirë dhe është i qetë. Sipas ligjit serb për bashkëpunimin me Gjykatën e Hagës, duhet të kalohen tre faza para se Karaxhiç të përfundojë në Hagë. Pas vendimit të gjykatës për ekstradim duhet që Karaxhiçit t’i jepet një mundësi për të apeluar dhe pas kësaj një komitet special për krime lufte duhet të vendosë mbi këtë apel. Gjithë procesi mund të zgjasë nga 3 deri në 9 ditë. Por, Gjykata e Hagës kërkon një ekstradim të shpejtë dhe pa vonesa të Radovan Karaxhicit. Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, tha se me arrestimin e Karaxhiç, Serbia tregoi se është e angazhuar për paqe dhe integrim në BE. Nuk është e këtij mendimi një pakicë në Serbi duke protestuar dhe përleshur me policinë. Në gjithë botën kanë vazhduar reagimet për kapjen e Radovan Karaxhiçit. SHBA-të dhe Bashkimi Europian i kanë kërkuar Serbisë që të ndalojë sa më shpejt që të jetë e mundur komandantin e luftës në Bosnjë Ratko Mlladiç. Ndërkohë mësohet se Radovan Karaxhiç do të mbrohet vetë në gjykatën e Hagës dhe është i bindur se do të dalë i pafajshëm nga të gjitha akuzat që rëndojnë mbi të. Lajmi u bë i ditur nga disa të afërm dhe ndihmës të të dyshuarit për krime lufte, Radovan Karaxhiç. Lideri i serbëve të Bosnjës në luftën e viteve 1992-95 në Bosnje, i cili u arrestua pas 11 vitesh arrati aktualisht ndodhet në burgun e Beogradit duke pritur ekstradimin e tij, i cili mesa duket do të ndodhë këtë fundjavë. Svetozar Vujaçiç thotë se klienti i tij po mbron veten duke heshtur përpara hetuesve. “Ai do të ketë një grup ligjor në Serbi, por do të mbrojë veten (pa një avokat) gjatë procesit të tij gjyqësor në Hagë”, deklaroi Vujaçiç për agjencinë Reuters, ndërsa shtoi se “Karaxhic është i bindur se me ndihmën e zotit do të fitojë”.
Korrupsioni, Komisioni Europian ndëshkon Bullgarinë
Bashkimi Europian do të bllokojë miliona dollarë ndihmë për një nga anëtaret e saj më të reja dhe më të varfëra, Bullgarinë për shkak të shqetësimeve lidhur me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ndëshkimi do të jetë rezultat i një serie raportesh për institucionet e Bullgarisë dhe menaxhimin e fondeve të BE-së.
Komisioni Europian duket i vendosur të bllokojë dy agjenci të rëndësishme bullgare që menaxhojnë fondet e BE-së. Me këtë vendim, tetëmbëdhjetë muaj që kur u anëtarësua në BE, anëtarja e më e varfër Bullgaria rrezikon humbjen e miliona dollarëve në ndihmë nga BE-ja. Drejtuesit e BE-së thonë se megjithë disa përpjekje për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, institucionet duken të mira në letër, por nuk japin rezultate në praktikë. Raporti përshkruan një pakënaqësi në rritje në mesin e vendeve të BE-së. Rumania do t’i shpëtojë kësaj herë ndëshkimit, por raporti thotë se reformat atje janë të brishta dhe dënon parlamentin për vonesat në hetimet për korrupsionin ku janë të përfshira një ish-kryeministër dhe zyrtarë të tjerë të lartë.
Qiproja: Nuk do t’a njohim pavarësinë e Kosovës
Duke u vënë në krah të Serbisë, Qiproja ka deklaruar sërish se nuk do njohë pavarësinë e Kosovës. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i jashtëm serb Vuk Jeremiç në një konferencë të përbashkët për gazetarët me shefin e diplomacisë qipriote, Markos Kyprianou i cili ndodhej për vizitë në Beograd. Ministri i Jashtëm i Qipros tha se përkrahja qipriote për Serbinë rreth Kosovës konsiston në respektimin e integritetit territorial dhe sovranitetit të vendit. Jeremiç ndërkohë u shpreh se Serbia gëzon përkrahjen e fuqishme të Qipros në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimi Europian.
Zanieri në Beograd: “UNMIK-u në Kosovë sipas rezolutës 1244”
Qeveria serbe dhe UNMIK-u ranë dakord për fillimin e procesit të bisedimeve lidhur me rikonfigurimin e prezences civile ndërkombëtare në Kosovë. Lajmi u bë i ditur pas takimit të shefit të UNMIK-ut, Lamberto Zanieri me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiç dhe ministrin serb për Kosovën Goran Bogdanoviç.
Zanieri u përcolli ministrave serbë, Jeremiç e Bogdanoviç, mesazhin se Misioni i OKB-së në Kosovë do të punojë mbi bazat e neutralitetit të plotë statusor dhe ekskluzivisht nën mandatin e Rezolutës 1244 ndërkohë që objektivi më i rëndësishëm i misionit civil në Kosovë është ruajtja e paqes dhe e stabilitetit në rajon. Ministrat Jeremiç e Bogdanoviç nga ana e tyre përsëritën qëndrimin e Qeverisë së Serbisë se rikonfigurimi i prezencës civile ndërkombëtare në Kosovë duhet të zbatohet në harmoni me Rezolutën 1244 si dhe me marrjen e konfirmimit në KS të OKB-së. Ministrat serbë shprehën pakënaqësinë e tyre në lidhje me rikonfigurimin e prezencës civile pa vendimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ata theksuan “se është me rëndësi kujdesi i vazhdueshëm për popullatën serbe në Kosovë, ruajtjen e sovranitetit dhe tërësisë tokësore të Serbisë dhe është i domosdoshëm kontakti i përhershëm me përfaqësuesit e UNMIK-ut.
Daniel Frid: “Të merret kontrolli në veri të Kosovës”
Bashkësia ndërkombëtare duhet të rimarrë kontrollin ndaj veriut të Kosovës, e banuar me popullatë shumicë serbe. Kështu është shprehur zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të shtetit, Daniel Fried. “Veriu i Kosovës është tashmë hapësirë pa ligj dhe duhet të ketë prani në veri”,- tha në Bruksel, Frid, ku bisedoi me zyrtarë të Bashkimit Europian dhe të NATO-s. “Ne nuk mund të lejojmë që situata në Kosovë të dalë jashtë kontrollit. Gjërat do të fillojnë të përkeqësohen. Ne nuk mund të presim”,- shtoi Daniel Fried. Sipas tij, rikonfigurimi i misionit të OKB-së në Kosovë, duhet të ndodhë, për të krijuar kushte për vendosjen e misionit të Bashkimit Europian, në të cilin kanë rol edhe Shtetet e Bashkuara. “Situata duhet të kthehet në normalitet të qëndrueshëm”- tha ai duke theksuar se bashkësia ndërkombëtare duhet të ndërmarrë hapa të kujdesshëm për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
24 Korrik 2008