E Shtunë, 31 Tetor 2026

Afatet e ndarjes së shtesave të pensioneve

29/04/2009  Kategoritë që nuk e tërheqin në datat e caktuara, mund ta marrin shtesën edhe në muajin pasardhës

Skema e shpërndarjes së pensioneve së bashku me shtesat tashmë të aprovuara edhe nga qeveria do të realizohet sipas një kalendari të caktuar për të gjitha kategoritë përfituese. Ndonëse nuk ka mbërritur ende shkresa zyrtare pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore mbi rritjen e pensioneve, theksohet se marrja e shtesave do të bëhet në të njëjtën kohë që do të tërhiqet dhe pensioni bazë mujor, teksa këto të fundit do të jenë të ndryshme sipas kategorive. Kjo do të thotë se dhe shtesat do të fillojnë që në ditët e para të majit, sipas datave të pensionit. Për rastet kur individët që e kanë datën e tërheqjes së pensionit në ditët e para të këtij muaji, por për arsye të ndryshme nuk arrijnë ta marrin në kohë, nuk duhet të tremben, sepse shtesa do t’u kalojë për tërheqje gjatë muajit pasardhës. Kështu, asnjë prej tyre nuk do të rrezikojë të drejtën e pensionit, në rast se nuk e merr dot në datën e përcaktuar, kjo për efekt të rillogaritje apo të hyrjes në fuqi të vendimit. Aktualisht organet e sigurimeve shoqërore po merren me detajimin e skemës së llogaritjes mbi bazën e të cilave kategoritë e ndryshme do të përfitojnë rritjen e masës së pensionit bazuar në shtresat ku klasifikohen. Burimet zyrtare pranë ISSH-së pohojnë se menjëherë sapo të mbërrijë shkresa zyrtare nga organet e financave do t’i hapet udhë shpërndarjes së pensioneve të rillogaritur bashkë me shtesat. Ndarja e masës së re të përfitimit do të shkojë për të gjitha kategoritë e pensioneve, qofshin këto të pjesshme, të plota apo të kategorizimeve të tjera, që i bëhen skemës së llojeve të pensioneve. Përllogaritjet për çdo përfitues do të bëhen nga drejtoritë rajonale të sigurimeve shoqërore sipas të njëjtit standard të përcaktuar në skemën e rritjes. Skema e publikuar një ditë më parë përcakton se rritje maksimale do të përfitojnë pensionet minimale në fshat, ndërsa ato maksimale (po në fshat) do të rriten në masën 70 për qind, ndërkohë pensionet maksimale në qytet do të jenë 30 për qind më të larta, ndërsa pensionet e pleqërisë në qytet do të rriten deri në 42 për qind. Rritja për invalidët do të jetë 54 për qind. Pensionet e pleqërisë në fshat do të rriten me 80 për qind dhe ato të invalidëve 107 për qind.

Shpërndarja

Skema e shpërndarjes së pensioneve së bashku me shtesat e miratuara do të realizohet sipas kalendarit të tërheqjes mujore të pensionit. Konkretisht datat e pensionit fillojnë që nga 1-31 maj.

Sipas përllogaritjeve të bëra nga organet e sigurimeve, rezulton se “të ardhurat minimale për pensionin e plotë të qytetit nga 11 275 lekë që ishte, me rritjen do të shkojë në masën 12 226 lekë.

Njëkohësisht të ardhurat maksimale për pensionin e plotë të qytetit nga 19 530 lekë që ishte një vit më parë, me shtesën e re të akorduar nga qeveria për rritjen e muajit maj do të arrij në rreth 21 433 lekë.

Ndërsa për pensionet e fshatit është përcaktuar që të ardhurat e pensionit të plotë do të lëvizin nga 6 090 lekë në 7 139 lekë, në të cilën është përfshirë dhe shtesa e parashikuar, që marrin rritjen maksimale.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›