E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimet mbeten të larta, konsumatorët ulin fuqinë blerëse



Bie fuqia blerëse në treg. Këtë fakt e pohojnë si tregtarët ashtu edhe konsumatorët e kryeqytetit. Në një vëzhgim në tregjet e Tiranës, vihet re se ka qytetarë që u afrohen tendave, ku tregtarët shesin prodhimet e tyre. Çmimet janë fiksuar në ato që tregtarët aplikuan në ditët e festave. Askush prej tregtarëve nuk ka tentuar t’i ulë ato dhe justifikimin e kanë të thjeshtë, se i kanë importuar me çmim të lartë. Ata tregojnë se janari ka filluar të ndjejë uljen e sasive të importit të disa produkteve. Duke qenë se ka rënë fuqia blerëse, tregtarët e pakicës nuk thithin mallin e shumicës dhe për pasojë ata detyrohen të ulin importin. Me këtë justifikim, ata thonë pse i mbajnë çmimet e fiksuara si një muaj më parë. Por çdo ditë e më shumë po vënë re se konsumatorët kanë ulur kërkesën. Shpresa, një tregtare që kryen aktivitetin e saj prej trembëdhjetë vitesh tek pazari i ri, tregon se biznesi i saj i vogël po lëkundet, pasi shitjen kanë rënë dhe po ashtu edhe fitimi. “Puna ka rënë fare, njerëzit janë të varfër dhe nuk mund të blejnë gjithçka që u nevojitet”, - rrëfehet Shpresa. Sipas saj, tani një konsumator i drejtohet tezgës ku shet ajo për të blerë një artikull dhe shpesh edhe e atë e blen vetëm gjysmë kilogram. Shpresa tregon se në të shumtën e rasteve blihen perimet kryesore, por që përdoren për gatim, ndërsa frutat blihet mandarina dhe portokallja, të tjerat njerëzit nuk i blejnë. Ajo thotë se në një ditë mund të shesë 5 deri në 6 kg portokalle. “Edhe pse këto dy fruta kanë kohën e tyre, tani shohim që nuk kane fare kërkesë nga konsumatorët”, - thotë Shpresa. Sipas saj, të moshuarit janë vizitorët më të rrallë në treg. “Ata dhe kur vijnë blejnë më së shumti sallë jeshile, ose ndonjë kilogram mandarina. Por të blesh sallatën duket si luks, pasi një kilogram sallatë jeshile shitet me 200 lekë kg. Edhe pse në disa artikuj çmimet krahasuar me një vit më parë kanë rënë disi, kjo nuk ka ndikuar për të thithur sa më shumë klientë”. Sipas tregtarëve, çmimi i ullinjve ka rënë krahasuar me një vit më parë, nga 400 lekë kg, tani është 300 kg, por përsëri nuk ka shumë shitje të tyre. Agimja është një tjetër tregtare që shprehet tepër pesimiste në lidhje me çmimet e tregut dhe ecurinë e aktivitetit. “Për ulje as që mund të flitet, çmimet sa vijnë e rriten, nga i gjithë malli që shes, vetëm sallata, karota, patatja, që shiten më shumë, kurse të tjerat me pikatore”, - shprehet ajo. Ndërsa Shkurti, një tregtar tjetër që e ka tezgën pranë asaj të Agimes, thotë se atij i ka mbetur tani vetëm të tregojë çmimet kur afrohen klientët dhe vetëm kaq, pasi ata as që ndalojnë për të blerë. “Lodhem gjithë ditën duke u treguar klientëve çmimin e produkteve, por nuk vendos gjë në peshore, pasi ata pyesin sa për të pasur idenë dhe jo për të blerë”, - thotë ai.

Majlinda Kaçuli

TAB

Çmimet disa produkteve në treg:

Sallatë jeshile 200 lekë/kg

Domatja 200 lekë/kg

Trangulli 250 lekë/kg

Mandarina 160 lekë/kg

Portokalli 130 lekë/kg

Rrushi 600 lekë/kg

Molla 250 lekë/kg

Sallata 200 lekë/kg

Patëllxhani 350 lekë/kg

Patatja 60 lekë/kg

Karota 80 lekë/kg

Fistiqe 1000 lekë/kg

Bajame 1200 lekë/kg

Arra 1200 lekë/kg

Kivi 250 lekë/kg

Ulliri 300 lekë/kg

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›