E Diel, 1 Nëntor 2026

Afati për të kërkuar pronat deri në shtator

14/01/2005  Ish-pronarët kanë kohë deri në muajin shtator të këtij viti për të kërkuar kthimin dhe kompensimin e pronave të tyre. Sipas ligjit të miratuar në Kuvend, pronarët duhet të paraqesin kërkesën deri në një vit pas hyrjes në fuqi të ligjit. Pas kësaj, procesi do të vijojë vetëm me kthimin dhe kompensimin e pronave. Menjëherë pas dorëzimit të dokumenteve në Komisionin vendor të kthimin dhe kompensimit, ky i fundit duhet që brenda 45 ditëve t'i japë përgjigjen kërkuesit. Në rast se kjo nuk kryhet ish-pronari ka të drejtën të ankohet në Gjykatë për Shkeljen e ligjit. Megjithatë burimet kanë bërë të ditur se Komiteti Shtetëror i Kthimit të Pronave do të propozojë që afati për dorëzimin e kërkesave të mos jetë muaji shtator, por të shtyhet në një kohë më të gjatë.

Aplikimi

Menjëherë pas konstituimit të komisioneve vendore të kthimit dhe kompensimit të pronave, ish-pronarët duhet të paraqesin, certifikatën e pronësisë që kërkojnë, aktin e trashëgimisë, hartën e pronës si dhe një kërkesë formale. Në këtë të fundit duhet të përcaktohet dhe mënyra që kërkohet për të marrë kompensimin. Sipas ligjit, pronarët kanë të drejtën që të kërkojnë kompensimin me një pronë tjetër, që ka të njëjtën vlerë, me aksione që kanë vlerën e pronës së tyre ose me kompensimin financiar. Por komiteti i kthimit dhe i kompensimit të pronave ka vendosur që kompensimi financiar të jetë vetëm hapi i fundit që do të ndërmerret. Për të lehtësuar procesin e kthimit të pronave, mësohet se në komitetin shtetëror është kërkuar që harta topografike të mos paraqitet nga të interesuarit. Kjo sepse ish-pronarët mund të paguajnë topografët për të manipuluar matjet. Në propozim thuhet se do të jetë vetë Komisioni Vendor i Kthimit të Pronave, që do të kërkojë nga zyrat shtetërore hartën topografike të vendndodhjes së pronës së kërkuar. Gjithashtu mësohet se është kërkuar që të eliminohen deklarimet vullnetare të kufizimit dhe gjithçka të bazohet në të dhënat që kanë arkivat e shtetit. Procedura e verifikimit të vendndodhjes së pronës në bazë të deklarimeve që japin kufizuesit e një prone do të pranohen vetëm në rastet më ekstreme.

Komisionet

Burimet nga Komiteti i Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave thanë për "Metropol", se javën e ardhshme do të zhvillohen konkurset për anëtarët e komisioneve vendore. Pas përzgjedhjeve, komisionet do të nisin punën me shqyrtimin e dosjeve. Duke parë se konstituimi i komisioneve do të përfundojë në muajin shkurt, komiteti ka vendosur të kërkojë shtyrjen e afateve për paraqitjen e kërkesave. Kjo sepse dhe puna e komisioneve fillon rreth 5 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit të kthimit dhe kompensimit të pronave.

Çmimet/Tirana ndahet në 33 zona

Komiteti i Kthimit dhe Kompensimit të pronave ka vendosur të ndajë Tiranën në 33 zona të ndryshme, për të përcaktuar më pas vlerën e një metër katror tokë në to. Burimet kanë bërë të ditur se për të përcaktuar kufijtë e këtyre zonave do të vlejnë çmimet e shitjes, që japin agjencitë, për apartamentet. Shkak për vendosjen e këtij kriteri është mungesa e një tregu të shitblerjes së pronave. Kështu, sipas të dhënave të agjencive, çmimet më të shtrenjta të apartamenteve janë në qendrën e Tiranës. Kjo dhe për vetë faktin se pronarët e truallit të kësaj zone, kërkojnë rreth 30 për qind të sipërfaqes së apartamentit në shkëmbim të tokës. Kjo, sipas projektit të ekspertëve të komitetit të pronave, do të thotë se sipërfaqja e zënë e tokës ka një vlerë të barabartë me 30 për qind të apartamentit. Sa më i shtrenjtë të jetë një metër katror apartament, aq më i shtrenjtë bëhet një metër katror truall. Por, ndërsa në qendër të Tiranës një metër katror apartament shitet deri në 1200 euro, në periferitë e Tiranës kjo vlerë shkon në 300 euro. Duke parë këtë ndarje, është parë si zgjidhje ndarja e kryeqytetit të vendit në 33 zona të veçanta, në bazë të diferencimeve që krijohen në shitblerje. Gjithsesi çmimet bazë do të shumëzohen dhe me koefiçientin e ndërtueshmërisë.

Përfaqësuesi i Shoqatës Pronësi me Drejtësi vlerëson pozitivisht punën e ekspertëve për pronat

Toro: Kompensimi fizik më pak se 75 për qind

Përfaqësuesi i Shoqatës Pronësi me Drejtësi në komitetin e kthimit dhe të kompensimit të pronave është shprehur dje se nuk i beson deklaratës që shteti do t'i kompensojë ish- pronarët në masën 75 për qind me toka të lira. Për Toron, kjo shifër ka ardhur nga një studim i një viti më parë, por gjatë kësaj kohe në Shqipëri kanë ndodhur ndryshime tepër të mëdha. Toro në prononcimin e tij, tha se ende nuk është e qartë se sa është hapësira e tokave të lira që do të vihet në dispozicion të ish-pronarëve. Një deklaratë e tillë bie në kundërshtim me prononcimin e kryetarit të Komitetit të Kthimit të Pronave, i cili është shprehur se 75 për qind e pronarëve do të marrin si kompensim toka që janë të lira. Por për këtë pikë janë hedhur dyshime të shumta, pasi nuk dihen ende kërkesat e ish- pronarëve për kthimin dhe kompensimin e pronave. Por, ndryshe nga sa pritej, Agim Toro shprehet se mes anëtarëve të komitetit të kthimit dhe kompensimit të pronave nuk ka sherre, apo konflikte. Ai shprehet se ndryshe nga sa është vepruar tani komiteti ka bërë një punë apolitike. Toro ka përshëndetur dhe ekspertët që janë marrë me vlerësimin e kritereve të përcaktimit të çmimit të pronave. Ai shprehet se ekspertët kanë bërë një punë tepër të vlerësuar dhe jashtë ndikimeve të qeverisë apo dhe të partive të tjera politike. Toro është shprehur se në mbledhjet e Komitetit të Poronave ka pasur diskutime që janë normale, por pa kaluar në qëndrime politike, por vetëm mbi propozime që kanë të bëjnë me zbatimin e ligjit. B.Shima

Sinaj: Nuk na

mjaftojnë fondet

Kryetari i Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Sokrat Sinaj, është shprehur në një prononcim të tij se fondi që ka parashikuar qeveria për këtë komitet nuk janë të mjaftueshme. Sipas tij, 2 milionë lekët e akorduara janë një fond tepër i vogël. Megjithatë, ai tha se shpreson që ky fond të rritet pas privatizimit të ndërmarrjeve strategjike të vendit. Gjithashtu, Sinaj tha se shpreson që procesi i kthimit dhe i kompensimit të pronave të nisë gjysmën e dytë të këtij viti. Kjo sepse komiteti ka nisur punën për miratimin e rregulloreve dhe të çështjeve të tjera teknike. Pas përfundimit të këtyre pikave do të nisë puna për vlerësimin e kërkesave të ish-pronarëve që shoqërohet dhe me procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave. Por për të zbatuar sa më realisht procesin e kthimit të pronave, Sinaj ka vënë theksin te fondet që do të akordohen nga shteti.

Komiteti përcakton zonat

industriale dhe vijën e verdhë

Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe i Kompensimit të Pronave do të jetë vendimtari në përcaktimin e zonave industriale, për vijën e verdhë dhe për tokat që do të mbeten bujqësore. Kjo sepse me vendosjen e çmimeve për tokat përcaktohet dhe tipi i kësaj prone. Gjithashtu në fillim të javës së ardhshme komiteti do të diskutojë me ekspertët e turizmit mbi kriteret e vlerësimit të çmimeve të tokave turistike. Burimet kanë bërë të ditur se në komitet janë paraqitur formulat e llogaritjes së çmimeve. Ndërsa diskutimi dhe vendimet konkrete do të zhvillohen në javën e ardhshme. Sipas metodikës së paraqitur tokat në këtë zonë do të vlerësohen në bazë të preferencave në shitblerje. Kështu sa më shumë të frekuentueshme të jenë zonat turistike, aq më të larta do të jetë çmimi për një metër katror. Gjithsesi dhe në këtë rast do të bëhet një ndarje mes tokave bujqësore në zonat turistike dhe atyre truall. Kjo për vetë faktin se një metër katror tokë bujqësore nuk mund të jetë e njëjtë me truallin edhe pse ndodhet në zonat turistike apo preferenciale

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›