E Diel, 1 Nëntor 2026

Komandanti Ndoja: Sikur të shpërthente karburanti, nuk do të na ishin gjetur copat

14/01/2005  DURRES - Shmangia e katastrofës njerëzore nga një operacion i rrallë në shuarjen e zjarrit në karburantin “Elda”, që gjendet në afërsi të Urës së Dajlanit në Durrës i ka

kushtuar reparit zjarrfikës në Durrës 1 milion lekë.

Dy orët e luftës së 30 punonjësve kanë qenë ndër të paktat prova të këtij reparti, ndërsa pas vënies nën kontroll të zjarrit dhe shmangies së shpërthimit të tankerve të tjerë, zjarrfikësit kanë marrë qindra mesazhe përgëzimi nga pushteti vendor dhe qytetarët.

Shefi i repartit, major Fatos Shehu, e ka të vështirë të diferencojë përkushtimin e punonjësve, por për shkak të pozicionit në detyrë ai ka vlerësuar guximin e

komandantit të repartit Hamdi Kryeziu, komandantit të shërbimit Tom Ndoja dhe shoferit zjarrfikës Edmond Pulja, të cilët kanë qenë në vatrën e zjarrit.

Keni kryer ndër operacionet më të vështira në shuarjen e zjarrit. ǒmund të na thoni për ditën e djeshme?

Rrallë ndodhin raste të tilla. Jo vetëm te ne, por edhe në botë me këto përmasa dhe kërcënime për fatin e një popullate. Ka qenë ora 10.15, kur në sallën operative të repartit tonë nga një telefon celular jemi njoftuar për zjarrin në karburantin “Elda”. Unë

kam qenë me shërbim dhe menjëherë katër mjete zjarrfikëse, që ishin të mbushur me ujë dhe solucion në gjendje gatishmërie, së bashku me ekuipazhin u nisëm drejt Urës së Dajlanit. Fati që karburanti qe pranë reaprtit tonë dhe menjëherë vlerësuam situatën. Konstatuam vatrën e zjarrit, rrezikshmërinë e shpërnadrjes dhe shpërthimit të depozitave të tjera, përpiluam në pak minuta operacionin për shpëtimin e rezervuarve fqinj dhe menjëherë sulmuam me të gjitha mjetet depozitën që po digjej.

Ju keni qenë i vetëm në vatrën e zjarrit?

Detyra ime është të jem pikërisht atje ku dhe rreziku kërcënon jetën. Por këtë herë nuk kam qenë vetëm. Të më fal se nuk i di emrin, por në autoshkallë, e cila na ngjiti mbi shtëllungat e tymit dhe gjuhët e flakës, ishte edhe një polic i zjarrfikësit të portit të

Durrësit. Ai më dha shumë besim se do ia dalim mbanë.

Situata ishte shumë e vështirë dhe rrezikoheshin të shpërthenin edhe tre tankeret ngjitur me depozitën. Nga ana tjetër jam ndihmuar nga Mirush Lazimi dhe Fluturim Alushi, të cilët me tubat e ujit në dorë lagnin depozitat e tjera për të ulur temperaturën. Nuk

kishim kohë të shihnim njëri-tjetrin, por në të vërtetë të katër, që ishim në vatrën e rrezikshme, me shikime të rralla jepnim e merrnim kurajo.

E menduat se edhe mund të përpiheshit nga flaka apo shpërthimi?

Gjithçka fillimisht më ka shkuar ndërmend, por kur kam ngjitur shkallët jam përqëndruar te puna dhe nuk kisha kohë të meditoja. Tymi kishte pushtuar karburantin dhe nga lartësia prej 11 m nuk shihja asgjë. Shtrëngoja me forcë tubin me shkumë dhe qëlloja flakën, e cila herë ngjitej dhe herë pushtonte hapësirën tonë. Isha shumë i emocionuar. Mendova edhe familjen.

Celulari më kishte rënë disa herë, por unë e kisha fikur që kur jam nisur nga reparti, pasi kështu veproj në raste të tilla. Nuk dua që ndonjë lutje e fëmijëve të më pengojë në detyrë. Unë jam i vendosur të jap jetë për të shpëtuar jetë. Djali nga Italia kishte

mësuar për ngjarjen dhe pasi gjithçka ishte vënë nën kontrollin tonë, në telefon i thashë se ndihem i lehtësuar për suksesin, duke i kërkuar edhe ndjesë për tronditjen që kishte pësuar. Në këto orë pas ngjarjes kam marrë shumë përgëzime nga shefi im, pushteti vendor, familjarë e qytetarë, pasi tashmë jemi bërë të njohur në Durrës për vet detyrimet ligjore.

Sigurisht që edhe paga e justifikon sakrificën?

(Qesh). Duhet të ndajmë obligimin profesional nga shpërblimi i punës. Unë jam komandant i shërbimit zjarrfikës dhe me të gjitha shtesat për shkak të funksionit paguhem 23 mijë lekë në muaj. Kolegët e mi marrin akoma dhe më pak dhe puna jonë besoj se ka vend për një shpërblim më të madh. Por këto nuk janë pjesë që mendohen në momentet e alarmit të zjarrit dhe në harrojmë se për sa para sakrifikojmë apo vënë në rrezik jetën. Ajo që më intereson është të jap një mesazh për kalimtarë dhe drejtues mjetësh që kur zjarrfikësit ndezin sinjalin të na krijojnë lehtësi për të shkuar në vendin e ngjarjes. Ka ndodhur që ne jemi penguar deri me orë të gjata, pasi janë bllokuar rrugët.

E vlerësoni të veçantë këtë operacion?

E thashë edhe më lart. Ky qe një zjarr që këcënonte jetën e qindra qytetarëve dhe dëmtime të pallogaritshme në banesa, godina familjare si dhe një dëm shumë të madh ekologjik. Të parët që kërcënoheshin ishim ne punonjësit, uniformat blu, që kanë qenë pranë nesh deri në fund, por edhe zona përreth, pasi shpërthimi edhe i depozitave të tjera do të shënonte

një katastrofë të vërtetë. Nëse do të ndodhte e keqja, argjinatura e karburantit do të provokonte edhe shpërthimin e karburanteve të tjerë, që nuk ishin shumë larg karburantit “Elda” dhe rrezja e ndëshkimit do të ishte e madhe.

Përvoja e gjatë në punë u ka përballur me shumë vështirësi?

Të kësaj natyre ka pasur, por në të vërtetë shumë rrallë. Gjatë 28 viteve të punës sime pranë repartit zjarrfikës, kam marrë pjesë në disa operacione të veçanta. Kujtoj shpëtimin nga katastrofa të djegies së depove në hyrje të portit të Durrësit, tek Agipi në

vitin 1981. Kemi shpëtuar edhe jetë njerëzish në shumë raste. Në vitin 1978, në lagjen nr.3 të Durrësit, tek ish-hotel “Çamëria” kemi nxjerrë nga banesa dy fëmijë të cilët prindërit nuk mundën t’i shpëtonin; zjarri te materniteti i vjetër u shua falë ndërhyrjes sonë në vitin 1992, ndërsa te rruga tregtare në qytet kemi nxjerrë mes flakëve 5 familje natën e ndërrimit të viteve më 31 shjetor 2003. Por të tilla operacione kemi shumë.

Tom Ndoja

Lindur: Shkodër më 1949

Banimi: Durrës prej 1965

Detyra: komandant shërbimi në repartin zjarrfikës

Gjendja civile: I martuar dhe me tre djem

Koha e shërbimit: 28 vite në operacione shpëtimi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›