E Diel, 1 Nëntor 2026

Në pranga kapoja i trafikantëve

14/01/2005  SHKODËR - Tre persona, nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë, janë organizatorët e trafikut të 34 klandestinëve të riatdhesuar dy ditë më parë. Njëri prej tyre është arrestuar nga policia. Gjatë ditës së djeshme të gjithë personat e kthyer nga Kroacia janë lënë të lirë nga komisariati i policisë së Shkodrës. Ndërkohë, pas marrjes në pyetje të të riatdhesuarve nga agjentët e antitrafikut, ka rezultuar se shtetasi Aleksandër Colaj, 31 vjeç, nga Shkodra, është njeri nga personat që ka kryer trafikimin e një pjese të personave kundrejt shumës prej 1000 euro. Ky person është arrestuar menjëherë nga forcat e policisë së Qarkut të Shkodrës, nën akuzën e trafikut të qenive njerëzore me qëllim përfitimi. Sipas burimeve nga policia mësohet se janë identifikuar dhe dy persona të tjerë, të cilët nuk janë nga qyteti i Shkodrës, por që rezultojnë se janë organizatorë të këtij trafiku. Emrat e tyre nuk janë bërë të ditur dje për median, për arsye hetimi. Sipas policisë, arrestimi i tyre është çështje kohe, pasi është lokalizuar tashmë vendndodhja e tyre. 34 shtetasit kanë kaluar në kohë të ndryshme dhe jo të gjithë së bashku kufirin. Një pjesë e tyre, pasi ka kaluar Kosovën, kanë hyrë për në Mal të Zi, ose nga Shkodra kanë kaluar për në Mal të Zi. Në pikat e kalimit në Mal të Zi, këta shtetas kanë deklaruar se janë duke lëvizur për turizëm në këtë shtet, kjo është bërë dhe me lehtësi nga ana e tyre, pasi për në Mal të Zi nuk ka nevojë për viza. Ndërsa këto ditë policia e Shkodrës po intensifikon kontaktet me homologët malazezë për shkëmbim informacioni me qëllim goditjen e këtij rrjeti që shtrihet mes disa shteteve. Disa prej personave të riatdhesuar kanë reaguar, pasi ambasada jonë në Kroaci nuk ka treguar interesin e duhur për të mbrojtur shtetasit e saj. Të riatdhesuarit shprehen se në kamp kishte dhe shtetas të tjerë, por ambasadat e tyre vinin dhe i tërhiqnin, ndërsa ne, kanë thënë dje ata për gazetën “Metropol”, kemi qëndruar më shumë se të gjithë në kampe. Madje, ata e cilësojnë si të padrejtë veprimin e shtetit kroat, pasi, sipas tyre, shtetasit e kapur në Kroaci i kanë paguar të gjitha detyrimet ligjore për shkeljen e ligjit në atë shtet, ndaj dhe nuk ka qenë e drejtë mbajtja prej një muaji në kampe, u shprehën dje të riatdhesuarit e dy ditëve më parë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›