E Diel, 1 Nëntor 2026

Hashorva:Qeveria të japë financime për kërkime shkencore mbi strategjitë e zhvillimit

14/01/2005  Në një intervistë për "Metropol", inxhinier Kujtim Hashorva, anëtar i Komitetit të Orientimit të Politikave në PD është shprehur se qeveria aktuale nuk i ka të qarta strategjitë që duhet të ndjekë për zhvillimin e vendit. Sipas tij, në Shqipëri mungojnë investimet për kërkimet shkencore. Duke u shprehur kundër deklaratave të dhëna së fundi prej socialistëve, ai tha se ekspertët e PD-së janë integruar në projektet e Bankës Botërore apo të tjera, ndërsa ekspertët socialistë, siç ka thënë dhe Nano, janë marrë nga rruga.

Zoti Hashorva, ju bëni pjesë në Komitetin e Orientimit të Politikave. Mund të na thoni cili është pozicioni juaj në këtë forum të PD-së?

Në kuadër të ngritjes së KOP, unë jap kontributin tim në hartimin e programeve të transportit. Dihet që transporti është një nga degët më të rëndësishme të ekonomisë. Roli integrues i transportit është instrumenti teknik që realizon Kartën Universale të të Drejtave të Njeriut, pasi mundëson lëvizjen e njerëzve dhe të mallrave. Pjesa tjetër i takon qarkullimit të ideve. Në këtë aspekt, transporti ka një impakt të rëndësishëm në zhvillimin e shoqërisë dhe të ekonomisë. Menaxhimi i tij kërkon një profesionalizëm të lartë, për shkak të ndikimit që ka në zhvillimin e tregtisë, të turizmit dhe natyrisht së bashku me infrastrukturën që e mbështet, siç është ajo hekurudhore, rrugore, detare, ajrore, kuptohet gjerësia dhe madhësia e problematikës të cilën ai përfshin.

Për mendimin tuaj, si është gjendja e transportit shqiptar?

Aktualisht, pikërisht në këto momente kur ne po flasim, shoferët e autobusëve janë në një grevë kombëtare. Të njëjtat probleme kanë shoferët e transportit dhe taksive të linçensuara. Para disa kohësh, ne patëm grevën e punëtorëve të hekurudhës, kohë më përpara kemi pasur grevën e kantierit detar. Gjatë kësaj vale, kanë ardhur dhe njoftimet për bllokimin e investimeve për Korridorin 8. Pra, praktikisht Shqipëria është përjashtuar nga projektet afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata të investimeve në fushën e infrastrukturës, që sollën bllokimin e këtij korridori, që ka qenë nyja e vetme e lidhjes së Shqipërisë me Evropën. Do të mjaftonin vetëm këto fakte, për të dhënë një tablo të situatës së transportit, të operatorëve të transportit dhe të gjithë infrastrukturës së tij.

Ideja e Korridorit 8, sipas mendimit tuaj, është akoma e realizueshme, dhe si e shihni të ardhmen e këtij projekti?

Koridori 8 është në Shqipëri dhe nuk shtrohet problemi që është i realizueshëm, apo nuk është i realizueshëm. Problemi është te thithja e investimeve për Korridorin 8, sepse ky korridor është kalimi i natyrshëm, tranzitimi i natyrshëm që Evropa të kalojë nga Shqipëria, për në pjesën tjetër të Ballkanit dhe Evropën Lindore. Nuk është një shpikje e vendeve evropiane, por nëse Shqipëria do të ketë një linjë tranzitimi do të jetë pikërisht kjo linjë. Sepse Korridori i 8 është koncepti modern i transportit multimodal dhe intermodal, me të cilën aktualisht operon e gjithë bota e zhvilluar perëndimore. Kjo linjë nënkupton zhvillimin harmonik të të gjitha degëve të transportit, pra të hekurudhave, transportit rrugor, detar dhe atij ajror. Duhet të kemi diçka të qartë. Përpara se të fillojnë punimet për ndërtimin e një korridori duhen që përpara së gjithash të përvetësohen konceptet. Duhet që të krijohen strukturat që do të përfitojnë një investim të tillë, njëkohësisht duke qenë se ai është një investim shumë i madh lidhet dhe me situatën e përgjithshme të vendit. Në këtë aspekt shihet situata e rendit dhe e vendosjes së ekonomisë në një shtrat të tipit perëndimor. Ekonomia shqiptare nuk ka akoma elementët kryesorë të një ekonomie tregu. Mungon tregu i aksioneve siç janë bursat, shumica e parave qarkullojnë jashtë bankave dhe njëkohësisht mungon sistemi i kreditimit. Por problemi nuk është vetëm ky. Në Shqipëri ndoshta nuk do të kishte fare nevojë për financim të huaj. Vetëm me ato depozita që kanë shqiptarët nëpër banka do të mjaftonin jo vetëm për të ndërtuar Korridorin 8, por të gjithë investimet që i duhen Shqipërisë. Këto jo vetëm në fushën e transportit, por edhe në fusha të tjera. Mendohet se janë rreth 2 miliardë dollarë depozita. Por, duke qenë se shqiptarët i depozitojnë paratë nëpër banka të huaja, që nuk kreditojnë në Shqipëri, atëherë ndodh dhe kjo situatë. Këtu jemi përpara një paradoksi. Vetë fakti që deficiti tregtar është rreth 1.2 miliardë dollarë, apo në një kohë kur tregtia ecën në ritme të tilla, ku 1.2 miliardë dollarë mallra janë import dhe vetëm 200 milionë dollarë eksport, tregon se Shqipëria ka në vetvete strukturën e një vendi autokolonial. Pra, s´jemi koloni e askujt, po jemi koloni e këtij mentaliteti qeverisës, që e ka mbështetur zhvillimin e vendit te doganat dhe jo tek investimet e brendshme dhe të iniciativave krijuese. Problemi është se këtu mungojnë projektet, dhe qeveria nuk akordon asnjë fond për punën kërkimore dhe shkencore.

Kur ju erdhi ftesa për të marrë pjesë në KOP?

Ky është një rrjedhim edhe i bashkëpunimit tim disavjeçar që kam pasur me PD-në. Unë kam punuar në administratën e PD-së. Në atë kohë kam qenë shef i marrëdhënieve ndërkombëtare në Ministrinë e Transporteve prej një kohe të gjatë kam qenë koordinator për Korridorin 8. Në momentin që u shkëputëm nga administrata, ne u grumbulluam nëpër shoqata të ndryshme dhe këto mendime apo sugjerime i shfaqnim atje. Kemi qenë të pranishëm edhe në media me sugjerimet tona, duke insistuar që të zbatoheshin projektet që ne kishim lënë përgjysmë. Unë kam qenë për disa kohë edhe në departamentin e transportit pranë PD-së, por në këtë rast ftesën e kemi marrë si përfaqësues të Shoqërisë Civile. Ftesa, me sa di unë, është diskutuar në strukturat e PD-së, por propozimin ma bëri kryetari Berisha.

Krijimi i KOP-it ka ngjallur një lloj xhelozie te një pjesë e anëtarësisë së PD-së?

Unë, në radhë të parë, dua të them që nuk shikoj ndonjë xhelozi. Të paktën, unë personalisht, kam pasur bashkëpunim të mëparshëm, si ekspert në kuadrin e problemeve të transportit, siç kanë qenë ato të Korridorit 8, apo në komisionin Rama. Personalisht mund të them që kam pasur një frymë bashkëpunimi dhe mund të them që nuk kam parë deri më tani ndonjë qejfmbetje apo ndryshim qëndrimi. Prandaj, unë të paktën nuk mund të jap një gjykim për këtë problem. Ne nuk është se kemi bërë ndonjë kontratë me drejtuesit e PD-së, sipas të cilës ne po bëjmë disa shërbime në shkëmbim të disa favoreve. E vërteta është që shumica prej nesh është prononcuar edhe publikisht për të gjitha problemet si dhe për mangësitë që ka pasur qeverisja. Unë këtë e shoh më shumë si një mundësi që i jepet Shoqërisë Civile, apo si një amplifikator për të. Mendoj që kjo është një praktikë që duhet marrë shembull edhe nga partitë e tjera.

A ka filluar punë KOP dhe me çfarë po merreni konkretisht?

Gjeja që më bën më shumë përshtypje është se po të ishim të vetmuar do të ishim pa efektivitet. Është e pamundur që me gjithë formimin apo me përgatitjen tonë të mbulojmë gjithë problematikën që shfaqet. Natyrisht shumë persona kanë ofruar bashkëpunimin e tyre në sektorin që janë përgatitur. Ka shumë njerëz që janë të mënjanuar, shumë prej tyre janë dhe në administratë. Ata e kuptojnë shumë mirë që forca politike aktuale nuk mund të ofrojë zgjidhje për situatën që po kalon vendi. Të gjithë këta kanë ofruar eksperiencën e tyre dhe ne ndërkohë po përgatisim një material, i cili do të shërbejë si bazë për programin elektoral të PD-së. Ky material do të jetë fryt i një konsultimi, nuk do jetë fryt personal, por një fryt i rrahjeve të mendimeve të specialistëve. Janë njerëz që janë marrë me këto punë dhe nuk janë njerëz, siç ka ndodhur në PS, që janë marrë nga Komitetet e Shpëtimit Publik, apo të marrë nga rruga, siç e ka pranuar dhe kryetari i PS-së.

Cilat do të jenë pikat ku do të bazoheni ju për përmirësimin e problemeve të transportit?

Pikë së pari, Shqipëria ka pasur mungesën e projekteve kudo që ka shkuar dhe në të gjitha konferencat ndërkombëtare. Unë besoj se hapësira që do t'i lihet projektuesve për të përgatitur një bazë për strategjitë e zhvillimit të vendit duhet të jetë më e gjerë. Sepse, kur bën strategjinë e vendit tënd dhe kur lë hapësirë për këtë, është një investim shumë i vogël, por me një vlerë shumë të madhe. Mendoni sikur ne sot të përcaktojmë gjurmën e Korridorit 8. Mjafton që të shpallet kjo gjurmë, pra vija ku do të kalojë dhe ju do të shikoni që anës kësaj gjurme do t'i rritet vlera tokës. Do fillojnë njerëzit të bëjnë restorante, të ndërtojnë distributorë, pra do të investojnë. Sepse kur gjërat vendosen në letër, ti mund t'i zhvillosh më shpejt investimet, pa patur nevojë që paratë e njerëzve të shkojnë drejt bankave të huaja. Kuptohet që Korridori 8 që është një korridor panevropian është padyshim një prioritet i PD-së, por që nuk do të përdoret vetëm në fushatë elektorale. Firmat që janë marrë, apo që kanë bërë fizibilitetin e Korridort 8 do të ftohen që t'i kalojnë ato deri në institucionet ekzekutive. Projektet janë hapi i parë për të zgjidhur më pas edhe problemin e financimeve. Unë besoj se, nëse bëhen politika reale zhvilluese, të cilat janë në harmoni me politikat e botës perëndimore, atëherë mund të zgjidhet dhe problemi i investimit për ndërtimin e këtij korridori.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›