E Diel, 1 Nëntor 2026

Si legalizohen shtesat në pallatet e vjetra

14/01/2005  Shtesat anësore ose ballore në pallatet e vjetra mund të fillojnë procesin e legalizimit me aktet normative, që ka miratuar qeveria pas kalimit në Parlament të ligjit për “Legalizimin e shtesave në ndërtime”. Bëhet fjalë për ndërtimet pa leje të ndërtuara në pallatet që janë të hipotekuara si ndërtime të para ’90-ës, por më pas u përfshinë në kaosin urbanistik, duke patur jo pak, por rreth 50 mijë metra katorë pa leje. Ligji i vjetër i urbanistikës parashikon një penalitet prej 4 për qind, për të legalizuar ambientet pa leje të banimit, çka do të thotë që për këtë kategori shtesash, të bëhet një favorizim në krahasim me shtesat pa leje në pallatet e reja. Problemi i mprehtë social i strehimit, ka bërë që pothuajse çdo pallat i vjetër në kryeqytet të ketë shtesa anësore pa leje. Jo vetëm kaq, por pothuajse të gjitha pallatet e vjetra kanë prishur katet e para, duke i kthyer nga banesa në dyqane, ndërkohë që në hipoteka rezultojnë si banesa. Të gjitha këto probleme do të zgjidhen me aktet normative, që do të dalin nga ligji i miratuar në Parlament për Legalizimin e Shtesave në ndërtime. Ky ligj, në fazën e parë të tij do të prekë të gjitha shtesat në ndërtimet e reja pas viteve ’90, që nuk kanë mundur të hipotekohen për shkak të parregullsive në ndërtim dhe që nuk përputhen me lejen e ndërtimit apo më keq akoma, që nuk kanë fare leje ndërtimi. Aktet nënligjore të miratuara në Qeveri si shtesa të ligjit “Për legalizimin e ndërtimeve pa leje”, i japin të drejtë të gjithë qytetarëve që kanë shtesa, të drejtohen në dyert e zyrave të urbanistikës në Njësitë Bashkiake, për të filluar procedurën e legalizimit të shtesave pa leje. “Duke filluar që sot, ata që kanë shtesa pa leje anësore ose në faqet ballore të pallateve ekzistuese, mund të fillojnë procedurën e legalizimit“, ka bërë të ditur zv.ministri i Turizmit, Artan Lame.

Më pas, me udhëzime përkatëse, nga ky ligj do të përfitojnë dhe shtesat në pallatet e vjetra, që, sipas llogaritjeve në të gjithë Shqipërinë bëhen rreth 500 mijë ndërtime pa leje. Janë rreth 50 mijë metra katrorë vetëm në rrethin e Tiranës, të zëna me ndërtimet pa leje të kësaj kategorie, por që kanë mundësuar strehimin e rreth 30 mijë personave. Edhe pse të paligjshme, këto shtesa kanë shërbyer për zgjerimin e mijëra familjeve, duke zgjidhur çështjet emergjente të strehimit. Por, ndërkaq për legalizimin e tyre ekzistojnë barriera që lidhen jo vetëm me pronësinë e tokës, por dhe me sigurinë teknike të këtyre ndërtimeve.

Kushtet për legalizimin e shtesave anësore

Janë disa kriteret e përcaktuara për legalizimin e shtesave anësore dhe ballore në pallatet e vjetra. Por disa prej tyre i japin përparësi në legalizim disa shtesave, ndërkohë që pengojnë të tjerat të përfitojnë një leje ndërtimi. Kështu, dorëzimi i kërkesës për legalizim të objektit pa leje, do të kërkojë në radhë të parë dëshminë e blerjes së pronës dhe firmën e pronarit, projektin e ndërtimit dhe firmën e konstruktorit, që ka marrë përsipër të zbatojë projektin. Këto janë tre kriteret themelore për të përfituar legalizimin. Po në të shumtën e rasteve, sidomos në Tiranë, shtesat e pallateve nuk kanë konflikt me pronarët e tokës, se sa janë ndërtuar nga vetë banorët, pa praninë e ndonjë firme ndërtimi. Kuptohet kjo, për shkak të një kostoje ndërtimi shumë më të lirë. Në këto kushte, sipas zëvendësministrit për të “paraligjëruar” atë që është ndërtuar, bëhet e domosdoshme firma e një konstruktori për cilësinë e punimve të kryera. Ndërtimet jashtë çdo kriteri teknik, duket se janë të shumta dhe nga kjo pikë, një pjesë e mirë e shtesave në pallatet e vjetra, rrezikojnë të mos marrin kurrë të drejtën e hipotekimit. “Janë të shumta problemet që kanë sjellë shtesat në pallatet e vjetra, por ajo që i bën më problematike është paqëndrueshmëria e këtyre ndërtimeve dhe konfliktet që kanë shkaktuar me pronarët e tokës”, ka sqaruar Artan Lame. Shtesa anësore në pallatet e ndërtuara përpara viteve ’90, shfaqin probleme të mprehta urbanistike. “Nuk ka instruktor që të firmosë ose të marrë përsipër një pjesë të madhe të këtyre shtesave dhe ky përbën dhe problemin më të madh”, shprehet Lame, duke kujtuar se konflikti me pronarët, zënia e trotuareve dhe kanalizimeve, janë probleme që kanë kaluar në plan të dytë. Por duket se qeveria nuk ka marrë asnjë vendim për shkatërrimin qoftë dhe të atyre shtesave që nuk plotësojnë asnjë prej këtyre kritereve. “Askush nuk mund të thotë se këto shtesa do të prishen dhe akoma nuk është vendosur se çfarë do të bëhet me to”, ka deklaruar Lame. Sipas zv.ministrit të Rregullimit të Territorit, Artan Lame, janë të shumta problemet që kanë sjellë shtesat, por ajo që shqetëson më shumë specialistët, është kushti teknik i ndërtimit të tyre.

Kriteret për legalizimin e shtesave

1 Faza e parë, paraqitja e kërkesës në Njësinë Bashkiake

a. Kërkesa e të gjithë anëtarëve

b. Firma e pronarit ku është bërë shtesa

Firma e konstruktorit që ka ndërtuar shtesën

Kur firma nuk është e ndërtuar nga një konstruktor, duhet gjendur një ekspert që të vërtetojë cilësinë e ndërtimit

2 Verifikimi i dokumentacionit nga ekspertët e minibashkisë

a. Verifikimi i dokumenteve të pronës

Verifikimi i kritereve teknike të ndërtimit

3 Miratimi ose jo i lejes së legalizimit

Miratohet leja e legalizimit

b. paguhet gjoba e legalizimit

c. nuk miratohet leja

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›