E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burgaj: Operacionet do të vazhdojnë

13-09-2011 / Gazeta 55

Arrestohen 15 të kërkuarit për krime të rënda.

Përfundojnë në prangat e policisë 15 persona të shpallur në kërkim pas kryerjes së krimeve të rënda. Drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit, Hysni Burgaj në një konferencë të posaçme për shtyp, ka publikuar 15 emrat e kriminelëve, të cilët kanë rënë në prangat e policisë, pas një bashkëpunimi shumë të mirës mes policisë shqiptare dhe zyrës ndërlidhëse të Interpolit italian në Tiranë. Burgaj bëri të ditur se të arrestuarit janë shpallur në kërkim nga drejtësia italiane për vepra të rënda penale.
“Në kuadër të bashkëpunimit të suksesshëm ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Policisë Italiane është bërë i mundur arrestimi i 15 shtetasve shqiptar të kërkuar nga autoritetet Italiane të drejtësisë, pasi akuzohen për krime të rënda të ndryshme. Ky operacion i rëndësishëm është organizuar dhe zhvilluar nga data 08.09.2011 deri me datë 11.09.2011 nga strukturat e Departamentit kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda në bashkëpunim me Departamentin për sigurinë publike, Drejtorinë e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërkombëtar, si dhe Drejtoritë e Policisë së Qarqeve Shkodër, Lezhë, Durrës, Fier, Elbasan, Berat, Vlorë dhe Tiranë. Kurorëzimi me sukses i këtij operacioni është bërë i mundur në bashkëpunim të ngushtë me Autoritetet policore Italiane dhe Zyrën e Ndërlidhjes Interforze të Policisë Italiane në Shqipëri”, tha kryepolici, Burgaj.
Ai vlerësoi se ratifikimi i Marrëveshjes së lidhur ndërmjet qeverive të të dy vendeve nga Parlamenti Italian i hapi rrugën arrestimit të të gjithë atyre shtetasve shqiptarë, që janë të kërkuar nga autoritetet italiane të drejtësisë, duke krijuar kështu mundësinë e përballjes së tyre me drejtësinë për krimet për të cilat akuzohen të kenë kryer në këtë shtet.
“Kjo do t’i shërbejë një lufte akoma më efikase kundër krimit të organizuar”, u shpreh drejtori i Prgjegjshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj. Kryepolici Burgaj tha për gazetarët se për 15 kriminelët do të nisë edhe hetimi i pasurisë.
“Nga strukturat e Policisë së Shtetit do të hetohen dhe pasuritë e këtyre shtetasve, duke konkluduar sipas rastit dhe me sekuestrimet e tyre në përputhje me aktet ligjore”, tha ai.
15 të arrestuarit janë: 1. Astrit Abdullah Salihi, 33 vjeç, banues në Shkodër, për të cilin Prokuroria e Breshias, Itali, ka urdhëruar ndalimin, për veprat penale pjesëmarrje në organizata kriminale e finalizuar me kryerjen e krimeve për shkeljen e ligjit, për narkotikët, posedimin, transportimin dhe importimin e lëndëve narkotike, në Itali. 2. Naim Hamza Dervishi, 50 vjeç, banues në Durrës, pasi për këtë shtetas  Prokuroria e Leces, Itali, ka urdhëruar ndalimin, për veprën penale “Mbajtje dhe trafikim të lëndëve narkotike”. 3. Hektor Skënder Dumo, 35 vjeç, banues në Durrës, për të cilin Prokuroria e Leçes, Itali, ka urdhëruar ndalimin, për veprën penale “Trafik të lëndëve narkotike”, në Itali. Gjatë kontrollit fizik, iu gjet e bllokua pistoleta “Clok Automatik” të cilën e mbante pa leje. 4. Gentian Myfit Abdyli, 37 vjeç, banues në Durrës, pasi për këtë shtetas  Prokuroria e Shtetit Italian, ka urdhëruar ndalimin për veprën penale të vrasjes. 5. Ilia Lio Beci. 6. dhe Lefter Muhamet Aliu, përkatësisht 46 e 57 vjeç, banues në fshatin Radostinë e Zhupan, të rrethit Fier, pasi këta shtetas Gjykata e Milanos Itali, i ka dënuar me nga 12 vjet burg për trafikimit të qenieve njerëzore, trafikimit të miturve dhe marrjes pjesë në organizata kriminale. 7. Arben Ali Lamçja, 37 vjeç, banues në Elbasan, të cilin Gjykata e Apelit në Breshia Itali, e ka dënuar me 14 vjet burg, për veprën penale “Shfrytëzim prostucioni”. 8. Ferdinand Pali Dedja. 9. dhe Genti Pali Dedja, përkatësisht 34 e 38 vjeç, banues në Elbasan, për të cilët Prokuroria e Partos, Itali, ka urdhëruar ndalimin, për veprat penale “Vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje e shfrytëzim prostitucioni”. 10. Myrteza Adem Toto, 49 vjeç, banues në Berat, të cilin Gjykata e Milanos/Itali e ka dënuar me 22 vjet e 6 muaj burg, për veprën penale të “Krijimit të Organizatës Kriminale me qëllim Trafikim të Narkotikëve”. 11. Mikel Myrteza Çuçaj. 12. Dhe Altin Fejzi Liçaj, përkatësisht 38 e 34 vjeç, banues në Vlorë, pasi këta shtetas Gjykata e Torinos Itali i ka dënuar me nga 14 vjet burg për shkelje të ligjit mbi narkotikët. 13. Agim Avdulla Belba, 48 vjeç, banues në Kavajë, për të cilin Prokuroria e Republikës Italiane pranë Gjykatës Apelit Firence ka lëshuar urdhrin e ekzekutimit, për shlyerjen e dënimit prej 4 vjet e 10 muaj burgim për veprën penal të vrasjes me dashje. 14. Tarzan Muharrem Mullaj, 40 vjeç, banues në Tiranë, të cilin Gjykata e Apelit Milano e ka dënuar me 6 vjet burg, për favorizim emigracioni klandestin në rrethana rënduese, rekrutim femrash me qëllim prostitucioni, favorizim dhe shfrytëzim prostitucioni me minorene, kërcënim/dhunë në rrethana rënduese. 15. Ylli Preng Ndoi, 34 vjeç, banues në Laç, pasi Gjykata e Milanos-Itali e ka dënuar me 21 vjet e 10 muaj burg për “Trafikim i lëndëve narkotike”, “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Arratisje nga burgu i sigurisë lartë”. Në momentin e kapjes këtij shtetasi iu gjetën dhe sekuestruan një pistoletë “Zastava” me një krehër me fishekë, si dhe një pistoletë “Ekol” me një krehër me fishekë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›