Bundestagu: Gjermania mbështet integrimin evropian të Shqipërisë
“Gjermania mbështet integrimin e Shqipërisë në BE”, kështu është shprehur deputeti i Bundestagut gjerman Kieseweter pas takimit me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli në kryesinë e kuvendit, duke theksuar në të njëjtën kohë se “ hendeku mes partive duhet të kalohet, pasi zhvillimi i reformave është shumë i rëndësishëm”.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp pas takimit kryeparlamentarja Topalli tha se deputeti gjerman Kieseweter ka qenë një mbështetje për Shqipërinë dhe si rrjedhim ky takim është mjaft i rëndësishëm duke veçuar faktin se investimet gjermane janë rritur ndjeshëm në Shqipëri dhe se Gjermania e ka mbështetur gjithmonë Shqipërinë. Deputeti i Bundestagut gjerman Kieseweter, në fjalën e tij përçoi mesazhe të rëndësishme të qeverisë gjermane drejtuar Shqipërisë. “Vendimtare është një pikë që unë dëshiroj ta përmend, është mesazhi i koalicionit qeverisës CDU/CSU në Gjermani që do të thotë që Qeveria gjermane mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Për mua është mjaft e rëndësishme që të bëj disa konstatime lidhur me progresin që është bërë nga vizita ime e fundit në maj dhe për disa hapa të tjerë para të cilave ne ndodhemi. Mjaft të rëndësishme dhe një ndihmë të madhe do të quaja takimin e fundit të bërë javën e kaluar në Berlin ndërmjet grupeve respektive të miqësisë të Shqipërisë dhe Gjermanisë. Ishte një bisedë mjaft konstruktive, sepse miqësia nuk lind nëpërmjet shkresave, nëpërmjet letrave, por lind sidomos nëpërmjet takimeve dhe bisedave”, u shpreh Kieseweter.
Ai vlerësoi gjithashtu edhe rikthimin e opozitës në Parlament duke e cilësuar një ndryshim apo progres thyerjen e bojkotit parlamentar nga opozita.
“Vlerësoj kthimin e opozitës në parlament, duke marrë në konsideratë reformat dhe ligjet që duhet të miratohen. Më duket ky një fakt mjaft i rëndësishëm duke pasur parasysh edhe punën e madhe që e pret Parlamentin shqiptar në kuadër të disa reformave siç janë: reforma në drejtësi, reforma zgjedhore, reforma administrative, por njëkohësisht edhe reforma në Parlament. Për shkak të bojkotit të Partisë Socialiste Shqipëria humbi një kohë shumë të vlefshme. Tani është koha për ta ndryshuar. Palët politike duhet të bashkëpunojnë për të realizuar reformat dhe për të ecur përpara. Ne ju inkurajojmë të vazhdoni në këtë drejtim”, theksoi deputet gjerman Kiesewetter.
Më tej ka vijuar ai se është dorë të Shqipërisë që të marrë në dorë frenat dhe të zhvillojë këto reforma për të ecur përpara dhe për të përmbushur kushtet e vendosura.
“Shpresoj që ky hendek që është krijuar ndërmjet dy partive të mund të tejkalohet sa më shpejt në mënyrë që të rifillojë puna dhe të ecet përpara. Po kështu, është në dorën e Shqipërisë që të punojë dhe të ecë përpara, në mënyrë që edhe në Bruksel të krijohet e njëjta përshtypje që Shqipëria po bën përpjekje. Unë i uroj Shqipërisë shumë forcë dhe fuqi për të ecur përpara, por njëkohësisht edhe sukses në përpjekjet e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian”, përfundoi fjalën e tij deputeti i Bundestagut gjerman Kieseweter.