“Do të plotësojmë 12 rekomandimet e integrimit”
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto vlerësoi dje gjatë takimit me homologët e tij, italian dhe grek, Franco Frattini dhe Stavros Lambrinidis, se Shqipëria do vazhdojë të intensifikojë kursin e integrimit evropian. Kryediplomati shqiptar informoi dy zyrtarët e lartë se qeveria e ka në krye të programit së saj axhendën e integrimit evropian dhe vazhdon të ndërmarrë reforma të gjithanshme që zhvillojnë dhe përparojnë vendin në këtë rrugëtim.
Ministri Haxhinasto u bëri me dije homologëve të tij nismat e ndërmarra nga mazhoranca për të nxitur dhe vijuar, në mënyrë të sinqertë, debatin dhe bashkëpunimin politik institucional për këto reforma të rëndësishme për vendin, si dhe bëri një pasqyrë të përparimit që ka bërë Shqipëria gjatë kësaj kohe në ekonomi dhe fusha të tjera.
Ministri Haxhinasto u shpreh se propozimet për të bërë një përparim konkret tashmë ekzistojnë, si: fillimi i reformës zgjedhore, zbatimi i planit kombëtar të veprimit për përmbushjen e 12 rekomandimeve të Komisionit Evropian, etj. Ai theksoi se me situatën e re të krijuar, me hyrjen e opozitës në Parlament, priten rezultate konkrete, që do të shënojnë adresimin e plotë të 12 rekomandimeve të KE. Ministri, gjithashtu, vuri në dukje se mazhoranca i përmbahet angazhimit të saj të vazhdueshëm për një bashkëpunim institucional konkret, të hapur dhe konstruktiv, në shërbim të interesit kombëtar të të gjithë qytetarëve shqiptarë.
Ministrat Fratini dhe Lambrinidis theksuan se, si miq të Shqipërisë, mbështesin procesin e integrimit evropian të vendit. Ata theksuan se nga Shqipëria priten rezultate të mëtejshme konkrete, dhe se këto, në radhë të parë, u shërbejnë qytetarëve shqiptarë, në interesin më të mirë të tyre. Ndër të tjera, dy ministrat përmendën domosdoshmërinë e nisjes së reformës zgjedhore dhe miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar në Parlament.
Zv-ministrja Edit Harxhi: “Frattini dhe Lambrinidis pohuan mbështetjen e BE për vendin tonë”/Vizita e përfaqësuesve të diplomacisë evropiane, Fratini dhe Lambrinidis në Tiranë, vjen në mbështetje të integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian. Një fakt të tillë e ka pohuar gjatë një bisede në studio, zv/ministrja e Jashtme Edit Harxhi, referuar vizitës në vendin tonë të dy ministrave të Jashtëm, atij Italian Franko Fratini dhe atij Italian, Stavros Lambrinidis. “Nga komisionerët evropianë, ka patur apele të herëpashershme për Shqipërinë”, tha ajo. Duke shtuar se “Fratini vazhdimisht ka mbështetur aspiratën e vendit tonë për në Bashkimin Evropian”. “Krerët kanë bërë apel për realizimin e reformave, në një kohë që kërkohet angazhim prej të gjitha palëve politike në vend, për të krijuar një pakt për integrimin”, shtoi Harxhi. Ajo ka vënë theksin më pas në faktin se këto tre vite, kanë penguar integrimin në Bashkimin Evropian, pikërisht për shkak të mungesës së dialogut mes palëve. “Integrimi i vendit tonë në BE, duhet të jetë në fakt synimi kryesor i palëve politike. Rëndësi ka që ne ende jemi në kohë dhe po të punojmë fort të gjithë së bashku, do të mund t’ia dalim”, tha më pas numri 2 i diplomacisë shqiptare. Sipas saj, roli i Shqipërisë në rajon vazhdon të mbetet i rëndësishëm derisa ajo është anëtare e NATO-s. “Vendi ynë ka pësuar zhvillime pozitive gjatë gjithë këtyre viteve të fundit”, shtoi ajo.