E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama s’lejon deputetët të përshëndeten me Andis Harasanin dhe Kastriot Islamin

13-09-2011 / Gazeta 55

Deputetët e PS-së nisën dje zbatimin e taktikave të izolimit të “grupeve armiqësore” që ende s’janë përjashtuar formalisht nga grupi parlamentar

Gjuetia e shtrigave në Partinë Socialiste, merr përmasat e një vakie të vërtetë aq sa shpura e kryesocialistit po seleksionon emrat që s’do jenë në gjendje të bëjnë oponencë politike deri në mbajtjen e punimeve të kongresit, më 5 nëntor të këtij viti. Kjo u duk qartë nga atmosfera e krijuar në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar socialist, ku deputetë të Mendimit Ndryshe në PS si Kastriot Islami, Andis Harasani dhe Arben Malaj, u pritën “ftohtë” e madje shpërfillja shkoi edhe më tej, teksa asnjë prej deputetëve socialistë s’guxoi t’i përshëndeste apo edhe të shtronte me ta qoftë edhe diskutimin më të thjeshtë informal.
Krahas mbylljes së gojës së deputetëve, në mënyrë që ata të mos kenë mundësi komunikimi “live”, përveç atij në telefon apo edhe në rrjetin social Facebook, Rama ka rinisur mësymjen e propagandës në media, duke urdhëruar lëshimin e deklaratave politike nga ligjvënës të varur tërësisht nga ai. Kjo bëhet me qëllim krijimin e një klike tensioni dhe konfliktualiteti, në shenjë kërcënimi për 3 deputetët në largim e sipër.
Fati i tyre politik duket tashmë i paracaktuar dhe se formaliteti i radhës i Edi Ramës, mbetet nxjerrja e tyre jashtë radhëve të partisë, pavarësisht vlerave dhe kontributit historik që kanë dhënë për Partinë Socialiste dhe të majtën politike. 
Replika e Andis Harasanit: “Artan Gaçin e bëra deputet, mendon ndryshe nga ato që thotë në media”/Sekretari për Programin Politik në PS dhe njëherazi deputet i kësaj force politike, Andis Harasani, një prej të rrezikuarve nga përjashtim i mundshëm nga PS, i përgjigjet deklaratave të kolegut të tij Artan Gaçi, duke theksuar se ky i fundit mendon ndryshe nga ato të thotë në media.
Reagimi i Harasanit vjen pas pajtimit të Gaçit me frymën përjashtuese në PS, në dëm të Kastriot Islami, Andis Harasanit si dhe ndoshta edhe të Arben Malajt.
Andis Harasani thotë gjithashtu se s’është etike për Artan Gaçin të frymëzojë politikën e përjashtimit në PS, pasi siç shprehet Harasani ka qenë ai që ka këmbëngulur për futjen e Artan Gaçit në listën fituese të deputetëve të PS-së.
“Pranoj çdo mendim dhe mirëpres çdo sugjerim. Në fund të fundit ne prandaj jemi Mendimi Ndryshe. Sa për këshillën që do t’i jepja mikut tim, Artan Gaçi. E quaj mik sepse kam qenë unë ai që ka kërkuar që ai të jetë deputetë i PS-së. Këshilla ime do të ishte që ai të thotë në publik, po ato gjëra që thotë në biseda private”, u shpreh dje deputeti socialist Andis Harasani.
Kolegu i tij Artan Gaçi ishte shprehur një ditë më parë në një intervistë për një të përditshme shqiptare se mbështeste plotësisht metodikën e mbijetesës politike të Edi Ramës në PS dhe se kishte ardhur koha që 2-3 deputetë socialistë, të nxirreshin jashtë radhë të partisë opozitare. Fjala ishte për Andis Harasanin, Kastriot Islamin dhe Arben Malajn.
Por, ajo që zbulohet nga e gjithë kjo propagandë mediatike, është se pas këtyre pseudo-sulmeve fshihet Edi Rama. Ai e sheh të udhës të krijojë këtë klimë “armiqësie” ndaj deputetëve socialistë, me qëllim neutralizimin e zërave kritikë dhe shtirjen në dorë të forumeve vendimmarrëse të PS.  

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›