E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në përkujtim të 10-vjetorit të 11 shtatorit 2001

13-09-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha merr pjesë në çeljen e ekspozitës fotografike

Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje pasdite në çeljen e ekspozitës “Ja Nju Jorku – Një demokraci fotografish”, e organizuar nga ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, në përkujtim të 10 vjetorit të 11 shtatorit 2001.
Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh se “jemi këtu, sot, për të nderuar kujtimin e rreth tre mijë burrave dhe grave, të rinjve dhe të rejave, fëmijëve dhe të moshuarve, qytetarëve të të gjitha etnive, racave dhe besimeve fetare që dje, 10 vjet më parë humbën jetën në një sulm barbar në Nju Jork, Uashington e Pensilvani”.
Berisha tha se 11 shtatori 2001 ishte një ditë tragjike për SHBA-në. “Zoti ambasador, kjo ishte dita më tragjike e historisë së kombit tuaj. Ky ishte sulmi i parë e më i rëndë që një agresor ndërmori në territorin e vendit tuaj, por po atë ditë, po në ato çaste, krahas një patriotizmi të paprecedent që shpërtheu në vendin tuaj, njerëz të lirë në të katër anët e botës u ndjenë amerikanë. U ndjenë amerikanë, sepse asgjë nuk mund të prekë më shumë njeriun e qytetëruar, sesa humbja e një jete të pafajshme. Por u ndjenë amerikanë, para së gjithash, sepse kombi e vendi juaj ka bërë më shumë se çdo komb e vend tjetër për lirinë e qytetarëve të vendeve të tjera në tërësi. Në Europë e në botë, kombet e lira i detyrojnë kombit tuaj ndihmesë të jashtëzakonshme në lirinë e tyre. Ata që sulmuan kullat binjake, Pentagonin dhe që donin të sulmonin objekte të tjera, Shtëpinë e Bardhë dhe Kongresin, me avionin që ra në Pensilvani besuan se me këto sulme do të mund të kurbonin flamurin e kombit tuaj. Por ata gabuan shumë rëndë dhe është në meritën më të madhe të qeverisë së vendit tuaj që ju, sot dhe miqtë tuaj kudo në botë nderojnë këto viktima, pasi ata që i ideuan, projektuan dhe ekzekutuan këto sulme morën si shpërblim skëterrën e përjetshme që meritonin. Bin Ladenët, sadamët e të tjerë si ata morën ndëshkimin e merituar. Vendimet historike të Presidentit George W. Bush bënë të mundur që kryeterroristi i botës të dalë nga strofulla ku ishte strukur, në Tora Bora apo ku  ndodhej e të marrë këtë vit, atë që meritonte në prag të dhjetëvjetorit të nderimit të viktimave të sulmit barbar terrorist, në Shtetet  e Bashkuara”, u shpreh kryeministri Berisha.
Kreu i qeverisë tha se “atë ditë, shqiptarët, për të cilët kombi juaj ka bërë më shumë se kushdo tjetër për lirinë e tyre, janë ndjerë më shumë se të tjerët amerikanë”. “Ne i jemi mirënjohës vendit e qeverisë suaj ish Presidentit Bush e Presidentit Barack Obama për udhëheqjen që i kanë bërë luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar e sukseset e mëdha në këtë luftë. Ne jemi krenarë që rreshtohemi përkrah jush dhe japim ndihmesën tonë modeste në rezultatet e kësaj lufte. Duke përfunduar, edhe unë së bashku me familjet e viktimave, me qytetarët e liri të vendit tuaj, me shqiptarët i lutem Zotit që shpirtrat e viktimave të 11 shtatorit të gjejnë paqen e merituar dhe ju garantoj se Shqipëria e shqiptarët do të qëndrojnë të palëkundur në përpjekjen tuaj të madhe, për paqen dhe stabilitetin në botë”, deklaroi kryeministri Sali Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›