E Shtunë, 31 Tetor 2026

Afera Olldashi me linjat e internetit, krijon monopol për 40 vjet

TIRANË- Gazeta Panorama zbulon skandalin e ministrit të Transporteve Sokol Olldashi për tregun e internetit në Shqipëri, dhënë një firme të vetme për 40 vjet.

Gazeta zbulon urdhrin e firmosur nga ministri i Punëve Publike dhe Transportit, që i jep të drejtën monopol një firme të caktuar të kryejë lidhjet kufitare me fibra optike.

Afera që monopolizon për katër dekada të gjithë tregun e internetit në vend, është urdhëruar dhe firmosur nga ministri Sokol Olldashi, me shkresën nr. 120, të datës 23.08.2010. Pa asnjë njoftim publik, pa asnjë konkurrencë (qoftë edhe fiktive), Olldashi i ka dhënë të drejtën shoqërisë “Albanian Telecommunications Union” për ndërtimin e rrjetit të fibrave optike me përdorim ekskluziv.

E thënë me pak fjalë, të gjitha linjat e interkonjeksionit me fibra optike, në të katër pikat kufitare të vendit do të jenë monopol. Pas urdhrit të Olldashit, firma “ATU” do të zotërojë të gjitha lidhjet e internetit të vend dhe do të jetë ajo që do të shesë me çmimin të cilin do ta përcaktojë ajo e vetme në treg, të gjithë shërbimin në vend.

Pas këtij urdhri, situata në treg bëhet monopol dhe kuptohet që edhe çmimi i internetit bëhet monopol. E thënë më thjeshtë, shërbimi që marrin të gjitha bizneset, kompanitë, deri tek ai që lidh kompjuterët e familjeve shqiptare me internet, do të varet nga një kompani e vetme.

Skandali bëhet më i madh po të kihet parasysh se Olldashi, për të vendosur këtë monopol, ka shkatërruar aktivitetin e katër kompanive që vepronin në këtë fushë. Të katra kompanitë, me urdhrin e Olldashit, kanë ndërprerë punën duke ia lënë të gjithë tregun kompanisë tjetër, që ministri e ka zgjedhur po me firmën e vet.

Sikur të mos ekzistonte urdhër-kontrata ekskluzive, e gjithë procedura e ndjekur nga ministri Sokol Olldashi për tregun e internetit në Shqipëri do të ishte pro konkurrencës.

Por, shkresat e ministrit të Transporteve kanë të shkruar akuzën për monopolizim të tregut dhe favorizim të një kompanie ndaj vetë Olldashit. Zbardhja e katër urdhrave të formuluar njësoj, të cilët kanë pezulluar dhe bërë nul kontratat e Drejtorisë së Rrugëve me katër firma për mungesë konkurrence, dhe zbardhja e urdhrit për vendosjen e monopolit 40-vjeçar për një firmë të vetme nga vetë Olldashi, e ndriçojnë qartë të gjithë këtë aferë të pastër.
(e.m/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›