Afera e fishekëve kinezë me Diverolin, hetimi i SHBA rrëzon akuzat ndaj Uidhers
Trazhgim Sokolaj
Departamenti amerikan i Shtetit tha dje se akuzat ndaj Ambasadorit të SHBA në Tiranë, John L. Withers II për “njëfarë implikimi në çështjen e fshehjes së origjinës kineze të municioneve të blera në Shqipëri”, nuk qëndrojnë. Zëdhënësi në detyrë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Robert Ud, bëri publik mbylljen e procesit të hetimit duke konfirmuar se “Ambasadori Widhers dhe ekipi i tij punuan saktësisht në atë mënyrë, siç do të prisnim të punonin”. Deklarata e djeshme bën fjalë për pretendimet e bëra publike vitin që shkoi nga një ish-nëpunës i Ambasadës Amerikane në Tiranë. Ai pretendoi për një takim mes kryediplomatit Withers dhe ish-ministrit shqiptar të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ku ishte folur për fshehjen e origjinës kineze në kutitë e municioneve që Shqipëria po i shiste kompanisë AEY e kontraktuar nga SHBA.
Hetimi amerikan
“Në qershor të vitit 2008, në media u shfaqën pretendime se Ambasadori i SHBA John Withers dhe pesë anëtarë të tjerë të ekipit të Ambasadës Amerikane në Tiranë, Shqipëri, në njëfarë mënyre ishin të përfshirë në përpjekje për të fshehur fakte lidhur me shitjen e municioneve me origjinë kineze për Departamentin e Mbrojtjes të SHBA, në shkelje të ligjeve amerikane”, tha Zyra e zëdhënësit në DASH. Sipas saj, “në atë kohë, çështja iu paraqit Inspektorit të Përgjithshëm për shqyrtim”. DASH konfirmoi se Inspektori i Përgjithshëm ka shqyrtuar të gjitha faktet e vëna në dispozicion dhe nuk gjeti asgjë që mund të konfirmonte ndonjë pretendim penal apo lloji tjetër në lidhje me punonjësit e Departamentit të Shtetit. “Departamenti i Drejtësisë ka informuar Zyrën e Inspektorit të Përgjithshëm që këta gjashtë punonjës të Departamentit të Shtetit në Ambasadën në Tiranë nuk janë shënjestra apo subjekte hetimi”, tha më tej zëdhënësi Robert Ud. “Departamenti mirëpret deklaratat e bëra nga Departamenti i Drejtësisë dhe Inspektori i Përgjithshëm dhe e konsideron këtë çështje të mbyllur. Ambasadori Widhers dhe ekipi i tij punuan saktësisht në atë mënyrë siç do të prisnim të punonin. Jemi krenarë dhe mirënjohës për shërbimin e tyre”, thuhet më tej në deklaratë.
Reagimi i Withers
Deklarata e djeshme e Departamentit të Shtetit u komentua dje nga Ambasadori Amerikan në Tiranë John L.Withers II. “Jam mirënjohës që Departamenti i Drejtësisë dhe Departamenti i Mbrojtjes tani i konsiderojnë pretendimet kundër meje dhe zyrtarëve të tjerë në Ambasadën në Tiranë të mbyllura”, tha Ambasadori Amerikan në Tiranë. “Këta zyrtarë – Stiven Kristina, Patrik Leonard, Paula Thide, Viktor Majev, dhe Robert Njusëm – janë ndër diplomatët më të shkëlqyer që kam njohur. Siç thashë vitin e kaluar, “një shqyrtim i drejtë i fakteve do të çojë, në fund, tek e vërteta”, thekson më tej Ambasadori i SHBA në Tiranë, duke u shprehur se është i kënaqur “që e vërteta tani është e qartë dhe që këtyre zyrtarëve të shkëlqyer u janë njohur kontributet ndaj shërbimit të vendit tonë”.
Akuzat e atashehut
Pretendimet kundër ambasadorit amerikan në Tiranë u bënë publike më 9 qershor 2008, kur majori Larry Harrison dha dëshminë e tij para Kongresit Amerikan. Ky i fundit po hetonte lidhur me blerjen e kryer nga kompania AEY të municioneve kineze në Shqipëri, në bazë të kontratës dhe fondit 300 milionë dollarë të dhënë nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes. Ish-atashehu Larrison, tha një vit më parë në Kongres, se ministri shqiptar Fatmir Mediu e kishte telefonuar më 19 nëntor 2007, duke i kërkuar një takim me Ambasadorin Amerikan në Tiranë, John L. Withers, II. Majori Harrison pretendoi se Mediu ishte i shqetësuar për praninë e gazetarëve të gazetës New York Times në Tiranë dhe për vizitën që ata po planifikonin në mjediset e aeroportit të Rinasit. Sipas majorit Harrison, ambienti në Rinas, ku do të shkonin gazetarët e NYTimes, ishte zona ku po kryhej operacioni i ripaketimit të municioneve të vjetra kineze përpara nisjes së tyre për në Afganistan.
Hetimet e kongresit amerikan pas tragjedisë që ndodhi në Gërdec
TIRANE – Tragjedia e Gërdecit, e ndodhur një vit më parë në periferi të kryeqytetit të Shqipërisë, u bë shkak për investigimin e tregtisë së armëve në disa drejtime. Një prej tyre ishte edhe shitja e municioneve që Ylli Pinari, i arrestuar për ngjarjen e Gërdecit, po bënte përmes ndërmarrjes MEICO te kompania AEY e Efraim Diverolit, i kontraktuar nga Departamenti i Mbrojtjes. Gazetarët e NYTimes u ndodhën në Tiranë disa muaj para tragjedisë së Gërdecit. Ata mblodhën fakte dhe pas tragjedisë së ndodhur më 15 mars 2008 botuan artikullin e parë, ku thuhej se pala shqiptare dhe zyrtarët amerikanë kishin shkelur ligjin e SHBA, që ndalonte tregtinë e armëve dhe municioneve kineze në Shtetet e Bashkuara. Gazetarët e NYTimes përshkruan investigimin e tyre në Tiranë dhe disa vende të tjera, duke nënvizuar dyshime të forta dhe serioze në adresë të Ministrisë së Mbrojtjes në Tiranë. Bazuar në deklarime të dhëna nga biznesmeni Kosta Trebicka, që për pak muaj kishte marrë pjesë në paketimin e fishekëve por edhe në përgjimin e bisedave mes tij dhe Efraim Diverolit, NYTimes evidentoi se forcat afgane të sigurisë ishin furnizuar me municione kineze, për më tepër të vjetëruara me paratë e taksapaguesve amerikanë në shkelje të ligjeve të shtetit. Kjo u bë shkak për hapjen e një hetimi nga Kongresi Amerikan, i cili thirri në pyetje një sërë zyrtarësh që kishin marrë pjesë në tenderimin e AEY. Në qershor 2008 para Kongresit dëshmoi majori Larry Harrison ish-atasheh ushtarak në Ambasadën Amerikane në Tiranë. Ai pretendoi se pas telefonatës së ministrit shqiptar Mediu, kishte kontaktuar me zv/ambasadorin Stephen Cristina. Sipas Harrison, Cristina organizoi takimin, në rezidencën e tij private në Tiranë pasditen e 19 nëntorit 2007. “Në takimin që ka zgjatur 1 orë e 30 minuta ka qenë i pranishëm vetë majori Larry Harrison, Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, Ambasadori Amerikan dhe shefi i sigurisë së ambasadës, Patrick Leonard”, ka pretenduar majori Harrison.
Shorti me gogla cakton pesë gjyqtarët e “Gërdecit”
TIRANE – Shorti me gogla përzgjodhi dje pesë gjyqtarët që do të marrin në shqyrtim dosjen “Gërdeci”. Emrat e gjyqtarëve që do të gjykojë 29 zyrtarët e pandehur, mes të cilëve edhe një ish-ministër, të akuzuar si shkaktarë të tragjedisë ku vdiqën 26 persona dhe u plagosën 300 të tjerë u përzgjodhën mes anëtarëve të kolegjit penal të Gjykatës së Lartë. Sipas shortit, relatore e këtij gjykimi do të jetë gjyqtarja Majlinda Andrea. Ndërsa anëtarët e tjerë të pesëshesh gjykuese do të jenë gjyqtarët Efgjeni Sinomeri, Irma Bala, Evelina Qirjako dhe Besnik Imeraj.
Burime pranë Gjykatës së Lartë bënë të ditur se shorti me gogla, ashtu sikundër u procedua në përzgjedhjen e gjyqtarëve të dosjes në ngarkim të ministrit Lulzim Basha, ishte për të mundësuar përfshirjen e të gjithë gjyqtarëve në short. Shorti elektronik është shmangur për shkak se ai i ndan gjyqtarët në dosje penale dhe civile. Dosja “Gërdeci” u dorëzua në Gjykatën e Lartë më 13 mars, vetëm dy ditë përpara se të mbushej një vit prej shpërthimit në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec. Ndër të pandehurit e kësaj çështjeje janë ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, ish-drejtori i MEICO-s Ylli Pinari, administratori i “Albademil” Mihal Delijorgji, ish-drejtori i fabrikës së demontimit në Gërdec Dritan Minxholli, si edhe funksionarë të tjerë të lartë në Ministrinë e Mbrojtjes. Mbi të pandehurit rëndon akuza e “shpërdorimit të detyrës” dhe për disa prej tyre ajo e “vrasjes masive”. ar.ba
GJYQTARËT
Relatore
Majlinda Andrea
Anëtarë
Efgjeni Sinomeri
Irma Bala
Evelina Qirjako
Besnik Imeraj