Berisha: Kartat nuk do jepen falas
ADI SHKEMBI
Kryeministri Berisha rrëzon propozimin e PS-së për dhënien e kartave të identitetit falas deri më 28 qershor. Pak minuta para se kreu i PS-së të zyrtarizonte nismën për pajisjen e qytetarëve me letërnjoftimin e ri, kreu i ekzekutivit ka shfrytëzuar mbledhjen e qeverisë për ta kundërshtuar atë. Sipas Berishës, procesi i aplikimit po ecën me ritme normale dhe deri tani kanë aplikuar rreth 277 mijë qytetarë. Në të njëjtën kohë ai theksoi se ky proces nuk mund të përfundojë si ai i iniciuar pak vite më parë, kur kartat u përdorën vetëm për votime. “Natyrisht, përpjekjet për t’i shndërruar këto në karta votimi, ashtu siç ndodhi në vitin 1997 që u shpërndanë falas dhe shumica e tyre përfunduan në lumin Lanë, janë përpjekje për të bllokuar procesin, janë përpjekje dhe kërkesa se si të zhvlerësosh totalisht procesin dhe t’i shndërrosh këto karta në ato lloj kartash votimi. Por ato nuk janë thjesht karta votimi, por janë letra identiteti, me të cilat, në një të ardhme jo të largët, do të mundet të udhëtohet, sepse janë të pajisura me dy çipe, pra janë të standardeve më të mira”, theksoi kreu i qeverisë.
Aplikimi për kartat
Kryeministri Berisha vlerësoi ecurinë e deritanishme të pajisjes së qytetarëve me kartat e reja të identitetit, duke theksuar se deri tani kanë aplikuar 277 mijë qytetarë. “Ky proces po ecën me ritme të cilat kanë arritur rreth 12 mijë aplikime në ditë. Deri tani, janë 277 mijë aplikime, janë mbi 125 mijë karta të prodhuara për Tiranën, të shpërndara në qendrat e minibashkive”, theksoi Berisha. Sipas tij “me gjithë zhurmën e pa bazë të opozitës, e cila përpiqet me çdo kusht ta nxijë këtë proces, një nga proceset më të rëndësishme dhe më të suksesshme në historinë e këtij vendi, dokumente të cilat bëjnë që shqiptarët të barazohen me të gjithë qytetarët evropianë, pra me gjithë fushatën nxirëse, siç ju e shihni, 277 mijë qytetarët kanë aplikuar për karta. Nga kontigjenti prej 700 mijë qytetarë që janë pa pasaporta, kanë mbetur rreth jo më shumë se 400 mijë”. Në të njëjtën kohë, kreu i qeverisë garantoi opozitën se zgjedhjet do të jenë sipas standardeve të kërkuara. Në këtë linjë ai përmendi publikimin e listave paraprake të votuesve katër muaj para zhvillimit të zgjedhjeve. Duke folur për takimin e një dite më parë me misionin e ODIHR, Berisha theksoi se ka kërkuar një numër të madh vëzhguesish për më 28 qershor. “Një ditë më parë erdhi në Shqipëri Misioni i ODIHR dhe unë i theksova kryetarit të këtij Misioni që ka autorizimin e qeverisë shqiptare që të kërkojë një numër sa më të madh vëzhguesish nga e gjithë bota”, theksoi kreu i qeverisë. Të njëjtën kërkesë kreu i qeverisë parashtroi edhe gjatë takimit me zv.ministrin e Jashtëm të Çekisë që t’u kërkojë ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së të sjellin në Shqipëri vëzhgues për zgjedhjet parlamentare.
277 mijë qytetarë
Sipas kryeministrit Berisha nga 12 janari, dita e parë e procesit të dhënies së kartave, deri tani kanë aplikuar për pajisjen me dokumentin e ri 277 mijë persona në të gjithë vendin. Vetëm ditën e martë kanë aplikuar 13 mijë persona.
125 mijë karta
Kompania koncensionare, që ka fituar tenderin për prodhimin e kartave, ka prodhuar deri tani 125 mijë karta për qytetin e Tiranës, të cilat janë pranë njësive bashkiake gati për t’u shpërndarë për qytetarët.