Zisa: Më kërcënuan të pranoj vrasjen
Armand Bajrami
Gjykata e Apelit në Tiranë la dje në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm dhënë nga Gjykata e Dibrës për Shpëtim Zisën, të akuzuar për përdhunimin dhe vrasjen e 10-vjeçarit Bekim Cenga dy vjet më parë. Në seancën e djeshme vetë Zisa reagoi duke ia deleguar autorësinë e krimit një personi tjetër. Duke u drejtuar nga trupi gjykues, ai kërkoi të ballafaqohej me Ermal Shulkun, i cili sipas tij ishte autori i vërtetë i ngjarjes. Ditën e djeshme avokati mbrojtës i Zisës i kërkoi gjykatës prishjen e vendimit të Shkallës së Parë të Dibrës dhe dërgimin e çështjes për rigjykim me një tjetër trupë gjykuese. Sipas mbrojtësit, Zisa nuk po kërkonte të shmangej nga përgjegjësia, porse hetimi i prokurorisë për këtë ngjarje ka qenë subjektiv dhe i paplotë. Nga ana tjetër, përfaqësuesi i akuzës, serviri edhe njëherë përpara gjykatës gjithë ngjarjen makabre të dhunimit dhe më pas vrasjes së të miturit Bekim Çenga. Prokurori i kërkoi gjykatës lënien në fuqi të dënimit me burgim të përjetshëm për të pandehurin.
“Monstra” ZISA
“Dua ballafaqim me Ermal Shulkun. Ai e ka vrarë Bekimin. Më vuri pistoletën në kokë. Më tha ‘pranoje ti’. Ai m’i mori lidhëset e këpucëve. Policinë e gënjeva dhe nuk i tregova të vërtetën, sepse kisha frikë se më vriste ai dhe shokët e tij”. Me këto fjalë iu drejtuar gjykatës, monstra Shpëtim Zisa. I veshur me xhinse dhe një bluzë sportive të verdhë të zhubrosur Ziza nuk pranoi ta kishte vrarë të miturin Çenga tetorin e vitit 2007. Sipas tij, gjithçka ishte kryer nga Ermal Shulku, i cili e kishte kërcënuar atë të pranonte autorësinë e ngjarjes. Sipas Zizës lidhëset e këpucëve, me të cilat prokuroria ka provuar se është mbytur Bekim Çenga, ishin të tijat, por atij ia kishte marrë Shulku nën kërcënimin e pistoletës.
NGJARJA
Prokurori i çështjes riprodhoi edhe njëherë dje përpara gjykatës gjithë ngjarjen e tmerrshme të 23 tetorit 2007, që tronditi qytetin e Peshkopisë. Sipas prokurorisë, në këtë ditë i pandehuri Shpëtim Zisa i ka prerë rrugën të miturit Bekim Çenga, teksa ky i fundit po kthehej nga shkolla. Ai i ka thënë të shkonte të linte çantën në shtëpi dhe të dilnin të luanin bashkë. Pas pak ata janë takuar sërish dhe kanë ndenjur për pak kohë pranë pallatit ku banonin. “Në vijim Zisa e ka ftuar Çengën të shkonin tek përroi në periferi të qytetit”, tha prokurori. Sipas përfaqësuesit të akuzës, tek ky përrua në një vend mes shkurresh ku Ziza kishte shkuar edhe më parë, ai ka dhunuar seksualisht të miturin. Pastaj duke mos pasur besim se ai nuk do të tregonte në familje se çfarë kishte ndodhur Zisa ka vendosur ta vrasë fëmijën. Sipas prokurorisë, për kryerjen e aktin makabër ai ka përdorur lidhëset e këpucëve të tij.