E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Nesër do jetë shumë vonë, të shpëtojmë zgjedhjet

 

Aristir Lumezi

Kreu socialist Edi Rama i kërkoi qeverisë të pajisë me karta falas të gjithë ata që nuk disponojnë pasaporta për jashtë shtetit. Rama propozoi një projektligj për këtë proces, i cili nëse zvarritet dhe vonohet, sipas tij, do të cenojë rëndë standardet e zgjedhjeve. “Ne nuk jemi aspak të prirur që ta shohim procesin të shkojë drejt kolapsit, duke qëndruar duarkryq. Ky propozim është shprehje e shqetësimit tonë shumë, shumë, shumë serioz. Këtë shqetësim, ju mund ta keni edhe vetë, sepse e keni ndjekur procesin të interesuar se si ky proces po shkon ngadalë dhe se sa të mëdha janë mangësitë e këtij procesi. Ne sot nuk jemi këtu për të ngritur gishtin e akuzës për askënd, apo për të bërë kritikën e procesit. Jemi këtu për të ndihmuar procesin, për të ofruar një zgjidhje. Unë jam këtu për të kontribuar me Partinë Socialiste, me opozitën, që procesi të shpëtohet. Nesër do të jetë shumë, shumë vonë”, tha Rama dje gjatë një konference për shtyp duke prezantuar projektligjin, i cili do të sanksionojë pajisjen me karta të të gjithë shtetasve pa pasaportë. Kreu socialist i kërkoi qeverisë të subvencionojë të gjithë qytetarët pa pasaporta për jashtë shtetit, duke i cilësuar ata si kategoria më në nevojë dhe në pamundësi për të paguar tarifën e kartës së identitetit.
“Theksojmë se aplikimet e të gjithë shtetasve me pasaportë duhet të ndërpriten deri në 28 qershor dhe një fushatë intensive sensibilizuese duhet të fillojë për të çuar në sportelet e aplikimit të gjithë zgjedhësit pa pasaportë. Ja pse u shtrojmë sot, të gjitha palëve në Kuvendin e Shqipërisë, një propozim konkret që mendojmë se duhet të kthehet në ligj një orë e më parë për të shpëtuar zgjedhjet dhe nderin e vendit tonë, duke u dhënë të gjithë shqiptarëve e shqiptareve që s’kanë pasaportë mundësinë e aplikimit, pavarësisht nëse gjendja e tyre ekonomike nuk ua lejon. Këta shtetas duhet ta marrin kartën falas nëse aplikojnë përpara 28 qershorit”, tha Rama. Sipas tij, “ky propozim vjen si rezultat i një gjykimi shumë objektiv dhe i domosdoshmërisë për të kontribuar për një proces të cilin ne e shohim ende si një shprehje e vullnetit të përbashkët për zgjedhje të ndershme, e shohim si një proces të ndarë mes qeverisë dhe nesh dhe me të cilin ne sot e gjithë ditën vazhdojmë të sillemi si qytetarë të përgjegjshëm dhe si përfaqësues të përgjegjshëm të qytetarëve, duke mos kërkuar dhe mos synuar për asnjë çast që të bëjmë politikë”. Kreu socialist i bëri thirrje të gjitha palëve në Kuvend që ta shohin çështjen e pajisjes së shtetasve me karta identiteti si garantim të standardeve të zgjedhjeve. “Nuk është në asnjë mënyrë rasti për ta kthyer propozimin tonë në çështje politike, apo për të bërë politikë me propozimin tonë, qoftë pro apo kundër. Ky është rasti për të qenë të gjithë bashkë, në një mendje, se procesi duhet shpëtuar nga rreziku i qartë i dështimit dhe se këtë proces mund ta shpëtojmë duke iu dhënë mundësinë reale të aplikimit, të gjithë shtetasve që nuk kanë pasaportë dhe duke mos pasur sot kartë identitetit, praktikisht humbasin të drejtën e tyre kushtetuese për votim”, tha Rama. Socialistët kanë akuzuar qeverinë për zvarritje dhe mangësi në procesin e pajisjes me karta identiteti të shtetasve. Sipas tyre, shqetësuese është mosnisja e procesit në shumë njësi vendore, kryesisht në zonat rurale, ndërsa ritmi i prodhimit dhe shpërndarjes së kartave të identitetit nuk premton përfundimin e tyre para 28 qershorit, kur kanë mbetur vetëm 65 ditë pune për stacionet e aplikimit për karta.

propozimi i ps per kartat

PER  PAJISJEN ME PËRPARËSI ME LETËRNJOFTIMI ELEKTRONIK TË  SHTETASVE SHQIPTARE PËR ZGJEDHJET PËR KUVENDIN E SHQIPËRISË TË VITIT 2009
Neni 1
Qëllimi
Qëllimi i këtij ligji është pajisja me përparësi e një kategorie të caktuar shtetasish me letërnjoftimi elektronik me qëllim bërjen e mundur të ushtrimit të së drejtës së zgjedhjes, për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2009.
Neni 2
Objekti
Objekti i i këtij ligji është përcaktimi i lehtësirave financiare për kategorinë e shtetasve që nuk disponojnë pasaportë të vlefshme,  të lëshuar sipas ligjit nr.8663 datë 23.11.2000  dhe që më datën 28 Qershor 2009 janë mbi ose 18 vjeç.
Neni 3
Pajisja me letërnjoftim falas
Shtetasit e përcaktuar në nenin 2 të këtij ligji,  nëse aplikojnë deri më datën 10 Qershor 2009 për letërnjoftime elektronike, nuk paguajnë tarifën e parashikuar sipas legjislacionit në fuqi. Nëse aplikimi bëhet përtej këtij afati, shtetasi përvec tarifës së parashikuar për aplikim do të paguajë edhe një vlerë shtesë në masën pesëdhjetë përqind të tarifës bazë.
Neni 4
Nxitja e shtetasve për aplikim
Ngarkohet Këshilli i Ministrave të ndërmarrë një fushatë sensibilizuese reklamash në median elektronike e të shkruar, që synon nxitjen e shtetasve shqiptarë për pajisje me letërnjoftimi elektronik në zbatim të këtij ligji.
Neni 5
Përballimi i fondeve
Fondet për përballimin e efekteve financiare të parashikuara në nenin 3 dhe 4 të këtij ligji, përballohen nga fondi i kontigjencës së miratuar për Këshillin e Ministrave në buxhetin e vitit 2009.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›